Ish-përpiluesi i fjalimeve të Putinit akuzohet për diskreditim të ushtrisë ruse

Moskë, 31 mars 2023 – Abbas Gallyamov, ish-përpiluesi i fjalimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, është shpallur i dyshuar nga autoritetet ruse për diskreditim të forcave ushtarake ruse.

Autoritetet ruse e kanë përdorur këtë akuzë së fundi për të dënuar personat që e kritikojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.

Së fundi, emri i Gallyamovit është shfaqur në regjistrat e Ministrisë së Brendshme ruse, për personat që janë në kërkim.

Gallyamov, 50-vjeçar, është larguar nga shteti dhe tani jeton në Izrael.

Ai ka punuar si tekstshkrues i fjalimeve të Putinit prej vitit 2008 deri më 2010.

Grupi Setevyye Svobody, i cili monitoron të drejtat e gazetarëve që punojnë online, ka thënë më 30 mars se ka siguruar dokumentet zyrtare të hetimeve kundër Gallyamovit, sipas të cilave, akuzat me të cilat përballet, dalin nga intervista e tij me Televizionin ukrainas 1+1 – projekt që transmetohet vetëm një YouTube.

Gallyamov e ka realizuar intervistën më 9 prill 2022, dhe e ka përmendur kryerjen e krimeve të dyshuara të luftës nga trupat ruse në qytetet ukrainase, Buça dhe Kramatorsk.

Setevyye Svobody ka thënë se hetimet kundër Gallyamovit kanë nisur më 18 janar dhe se emri i tij është shtuar në listën e personave në kërkim më 17 shkurt.

Nëse dënohet, Gallyamov përballet me 10 vjet burgim.

Sipas Setevyye Svobody, avokati Alan Gamazov është duke e përfaqësuar Gallyamovin.

Ende nuk dihet nëse ai është emëruar nga autoritetet ruse, apo është zgjedhur nga Gallyamovi që të bëhet përfaqësuesi i tij ligjor.

Më 24 mars, faqja online Mediazona ka thënë të ketë gjetur në Ministrinë e Brendshme ruse njoftimin zyrtar që e shpall Gallyamovin si person në kërkim.

Njoftimi është bërë i ditur një ditë pasi Radio Evropa e Lirë e ka publikuar një intervistë me Gallyamovin.

Përgjatë intervistës, Gallyamov ka sugjeruar që lufta në Ukrainë mund të rezultojë me revolucion në Rusi.

Ai, po ashtu, ka reflektuar për kohën e tij si pjesëtar i ekipit që shkruajnë tekstet për Putinin, pasi ai është bërë kryeministër më 2008.

Ai ka thënë se atëbotë, askush nuk e ka parashikuar “që Rusia do të shndërrohet në shtet fashist, siç është tani”.

Diskreditimi i forcave të armatosura ruse është kthyer në krim, sipas ligjit të ri, që është miratuar në Rusi, pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Muajin e kaluar, Ministria ruse e Drejtësisë e ka shtuar Gallyamovin në regjistrin e “agjentëve të huaj”, duke thënë se ai ka shpërndarë “materiale të përpiluara nga agjentët e huaj, ka shprehur ide kundër operacionit special ushtarak në Ukrainë, dhe ka marrë pjesë si ekspert, ose ka shpërndarë informacionet e platformave që janë prezantuar si entitete të huaja”.

(REL)