Prishtinë, 16 janar 2022 – Jeffrey Fischer, pilot i ushtrisë amerikane tani në pension, ka ardhur në Kosovë për të promovuar librin e tij të ri, të cilin e ka bazuar në përvojat personale të tij në misione të ndryshme në botë, të cilat janë tësajuara përgjithësisht. Por, krejt të njëmendta janë shënjestrat që ky ish-pilot i forces ajrore të NATO-s i bombardoi në pranverë të vitit 1999.
Fischer është njëri nga pilotët që fluturoi në qiellin e Kosovës kah fundi i fushatës 78 ditëshe ajrore të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë e policisë së ish-Jugosllavisë.
“Unë isha në një prej sulmeve të netëve të fundit, për çka kam marrë edhe një medalje. Misioni për të cilin shkruhet në atë medalje ishte ai kundër një formacioni të energjisë në Novi Sad. Pra, ne po përpiqeshim t’ua ndalonim energjinë, të cilën e përdornin për pajisje ushtarake”, tha Fischer.
Më 7 qershor 1999, Koloneli tani në pension e kishte në objektiv edhe Beogradin.
“Mendoj se është e rëndësishme ta them se unë nuk isha në luftë me serbët. Unë, pra presidenti im, ishte në luftë me Sllobodan Milloshqeviqin. Përndryshe unë jam rritur me serbët dhe kam shumë miq serb në Çikago. Kështu është kur je pjesë e ushtrisë”, u shpreh ai.
Jeffrey Fischer që thotë se Kosovën e ka si shtëpi të dytë, u kthye për herë të dytë në Kosovë, tani shtet i pavarur, si atashe ushtarak. Këtë detyrë e kreu prej vitit 2016 derinë vitin 2018. Gjatë kësaj kohe Kosova po bënte përpjekje të mëdha që FSK-në ta shndërronte në ushtri.
“Pa përjashtim, të gjithë gjeneralët amerikan që kanë ardhur për ta vëzhguar FSK-në dhe janë takuar me udhëheqësit e saj ishin shumë të mahnitur. Ata mendonin dhe vazhdojnë të mendojnë se FSK-ja është një forcë e jashtëzakonshme, por donin që Kosova të shkonte me hapa të ngadaltë në transformim dhe kjo vetëm për shkak të raporteve me Serbinë”, tha ai
Fischer tregon edhe përse ndonjëherë aleatët më të mëdhenj kishin hezitimet e tyre.
“Ka pasur shumë njerëz që gabimisht kanë qenë të bindur se FSK-ja është UÇK-ja me një uniformë tjetër, por kjo s’mund të ishte ashtu. Gjenerali (Rrahman) Rama dhe udhëheqësit tjerë (të FSK-së) bënë çmos të zbatonin doktrinën perëndimore, principet, trajnimet, taktikat që parashihen me standardet e NATO-s”,tha ai.
Piloti amerikan i 7 misioneve më të mëdha të NATO-së thotë se Aleanca Veriatlantike nuk do të jetë përgjithnjë në Kosovë, sikur që është herët të flitet për një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë. Por, ai është i sigurt se NATO mbetet e përkushtuar për Kosovën dhe nuk e ka ndërmend të largohet nga Kosova në të ardhmen e afërt.
Ish atasheu amerikan, i pyetur për marrëveshjen që Kosova ka me NATO-n për mosdërgimin e FSK-së në pjesën veriore të vendit, vlerëson se ky nuk përbën shqetësim të madh, derisa për sigurinë në këtë pjesë të vendit përkujdeset KFOR-i.
“Ata ushtarë duhet të bëjnë diçka dhe jo të qëndrojnë në kamp e të luajnë letra apo diçka të tillë. Do të ishte më e mençur diplomatikisht që Kosova t’i përdorte ato forca”, u shpreh ai.
(r.m.)