Ish-Presidenti Jimmy Carter (Xhimi Karter) ka vendosur të heqë dorë nga ndërhyrjet mjekësore duke preferuar që të lërë natyrën të bëjë punën e saj, duke i kaluar ditët e fundit të jetës në shtëpi me familjen.
98-vjeçari ka thënë se për këtë vendim ka mbështetjen e plotë të familjes dhe të ekipit të tij mjekësor.
Carter është Demokrat dhe shërbeu si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 1977 në 1981. Ai hyri në histori si ndërmjetësues i marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe Egjiptit. Por qeverisja e tij u njollos nga kriza ekonomike, inflacioni, rritja e çmimit të naftës, pushtimi i ambasadës amerikane dhe marrja peng e dhjetëra amerikanëve në Iran.
Për këto e shumë të tjera është konsideruar për një kohë të gjatë si presidenti më i dobët i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana tjetër, ai ka qenë model i presidentit në pension me një veprimtari shumë të gjerë sidomos në fushën e bamirësisë, të të drejtave të njeriut, në strehimin e njerëzve në mbarë botën, në luftën globale kundër varfërisë etj.
U nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2002. (Ruben Avxhiu)