Tiranë, 2 qershor 2022 – Shqipëria sot i dha lamtumirën e fundit ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë, në Gjermani, për shkak të komplikimeve që shkaktuara nga një sëmundje auto-imune nga e cila vuante.
Në ceremoninë lamtumirëse, në Presidencë, morën pjesë të gjithë ish-presidentët e Shqipërisë dhe drejtues të institucioneve më të larta shtetërorë e të subejkteve politikë të Shqipërisë dhe shumë figura të rëndësishme politike e publike që e çmuan ish-Presidentin Nishani, si njeri dhe si burrë shteti.
Në ceremoni morën pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si edhe liderë e përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës.
Morën pjesë edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, dhe përfaqësues diplomatikë të shteteve aleate perëndimore.
Presidenti i Shtetit, Ilir Meta, në fjalën e tij lamtumirëse, tha se zoti Nishani ishte një nga politikanët dhe shtetarët më të përgjegjshëm dhe më seriozë në çdo detyrë politike dhe shtetërore që e ushtroi, ndërsa si President i Republikës ishte mbrojtës i shkëlqyer i Kushtetutës, i interesit publik dhe kombëtar dhe i demokracisë në Shqipëri.
“I ardhur në politikë nga Forcat e Armatosura, Presidenti Nishani solli virtytet më të mira të ushtarakëve tanë në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ai mishëroi integritetin, ndjenjën e lartë të detyrës dhe patriotizmin”, tha Meta.
“Bujar Nishani e shihte politikën si artin e së mundshmes, dhe besonte se ajo ishte instrumenti më efektiv për të sjellë ndryshime pozitive. Bujar Nishani besonte te demokracia dhe shteti ligjor. Bujar Nishani besonte te demokracia dhe shteti ligjor”, theksoi ai.
Meta e vlerësoi me fjalët më të zgjedhura figurën njërëzore të ish-Presidentit Nishani.
“Presidentit Nishani i peshonte fjala. I njohur për maturinë dhe vetëpërmbajtjen, ai çmohej për thjeshtësinë dhe përulësinë në komunikimin publik e njerëzor, tipare që i mbetën të pandryshueshme gjatë gjithë jetës. Ai do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit, dhe besnikërinë ndaj parimeve dhe vlerave të cilat i besonte’, u shpreh ai.
Meta e vlerësoi lart profilin e ish-presidentit Nishani edhe si burrë shteti.
“Si Kryetar i Shtetit, Bujar Nishani, punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës. Ai ishte i vendosur dhe i angazhuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës, dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve tanë. Ai punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare në vend, dhe në çdo rast ju përkushtua interesit të Shqipërisë dhe kombit tonë. Bujar Nishani besoi deri në fund tek demokracia, e mira publike dhe sidomos interesi kombëtar”, tha ai.
Presidenti Meta tha se ish-presidenti Nishani ishte edhe në shërbim të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë.
“Bujar Nishani ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën, të cilën e shfaqte plot krenari dhe mbeshteti fort njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës edhe në shërbim të stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Nishani pati një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë faktorin politik shqiptar në rajon. Ai diti të vendosë dhe të ruajë shumë mirë ekuilibrat mes marrëdhënieve institucionale dhe atyre vëllazërore”, tha Meta.
Ai e vlerësoi përkushtimin e ish-presidentit Nishani për forcimin e partneritetit të Shqipërisë me SHBA-të e BE-në dhe për integrimet evropiane.
“Presidenti Nishani punoi me devocion për projektet strategjike të integrimit europian dhe euro-atlantik të Shqipërisë, për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, për bashkëpunimin gjithëpërfshirës me të gjitha vendet e rajonit dhe me vende e të tjera mike në botë. Ai e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë dhe shqiptarët në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur gjithmonë të vërtetat dhe prioritetet, që i shërbenin interesit publik dhe atij kombëtar’, tha ndër të tjera presidenti Meta.
Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij lamtumirëse, në varrezat e Sharrës, tha se figura e Bujar Nishanit, si njeri dhe si udhëheqës shteti, do të jetojë në përjetësi.
“Jemi këtu rreth teje të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd pa kthim të parakohshëm që ti nise pasi ke ngjitur si askush tjetër shkallët e jetës dhe të detyrës. Për sa kohë që ne do jetojmë do mbetesh i gjallë mes nesh për veprat, shërbimet e mëdha ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
“Vlerat morale, veprat dhe mirësitë e njeriut janë pavdekësia e tij njerëzore. Bujar Nishani do jetë gjithmonë si prindi shembullor, shërbëtor i këtij vendi, burrështetas fisnik, presidenti dinjitoz. Pas kësaj lamtumire secili prej nesh ndihet më i pakësuar sepse me ndarjen nga ty kemi humbur një pjesë të çmuar të shpirtit dhe zemrës sonë. Sot para teje jemi më të paktë në vete por jemi mirënjohës ndaj teje që patëm mes nesh një njeri si ti’, theksoi ai.
“Odeta ndjehet sot më e trishtë se kurrë në jetën e saj. Ngushëllimi i saj është dhe do mbetet fati i bardhë që pati një shok jete si ti. Fëmijët e tu do ndjehen krenarë që patën një baba si ty. Për baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka. Por ai ndihet krenar sepse rriti një djalë që i zbardhi faqen atij, familjes dhe gjithë popullin shqiptar”, tha Berisha, i përlotur nga dhembja e pikëllimi.
Djali i Bujar Nishanit, Ersi, në fjalën e falënderimit, tha se Familja, Zoti dhe Atdheu ishin tri gjërat për të cilat Bujar Nishani nuk bënte kurrë kompromis.
“Të nderuar personalitete dhe miq të pranishëm u falënderoj për praninë tuaj na keni lehtësuar dhimbjen sado pak. Im atë për tre gjëra nuk bënte kurrë kompromis, Familjen, Zotin dhe Atdheun. Familja jonë sot i jep lamtumirën busullës së saj drejtuese, kombi shqiptar i jep lamtumirën një shërbëtori të përulur dhe Zotit i shtohet një engjëll në parajsë. Lamtumirë baba”, tha Ersi.
Dita e sotme, 2 qershori, ishte ditë zie kombëtare në Shqipëri, në nderim të ish-presidentit Nishani. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar ishte ulur në gjysmështizë.
(r.m.)