Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, do të dëmshpërblehet nga Britania e Madhe

Londër, 4 korrik 2022 – Maria Bamieh, ish-prokurore e EULEX-it, e shkarkuar pasi kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni, do të dëmshpërblehet me mbi 400 mijë funta nga Britania e Madhe, raporton The Guardian.

Maria Bamieh ka pretenduar për tetë vitet e fundit se Zyra e Jashtme për Zhvillim (FCDO), një department i qeverisë britanike, dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.

Ajo ka thënë se zyrtarët qeveritarë, në vend se t’i ofronin mbështetje,  i kanë thënë të injoronte provat e dukshme të marrëveshjes së fshehtë brenda misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.

Rasti i saj pritej të shqyrtohej në gjykatë në maj dhe qershor të këtij viti, por palët u ranë dakord për një dëmshpërblim prej rreth 423,000 paund britanikë pak para seancës së pare.

FCDO tha se vazhdon të mohojë me forcë pretendimet e Bamieh.

Maria Bamieh e kishte akuzuar misionin e EULEX-it për largim të padrejtë të saj nga puna pasi bëri akuza për korrupsion ndaj prokurorëve dhe gjykatëseve ndërkombëtarë që shërbenin në Kosovë.

Bamieh pretendonte se kishte qenë në njohuri se si një gjyqtar i EULEX-it i kishte pranuar rreth 300 mijë euro në kompensim për të liruar nga akuzat një ish-zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas largimit nga ky mision, Bamieh ka vazhduar betejën e saj ligjore kundër EULEX-it në Britani të Madhe.

EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendit nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.

Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro.

 (REL)