Ish zv/kryeministrja e Serbisë: Pushteti në Serbi e ka mbështetur sulmin terrorist në Kosovë

Beograd, 1 tetor 2023 – Ish zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, ka deklaruar se sulmi terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës, është kryer me mbështetjen e pushteti në Serbi. Ajo ka thënë se Serbia që sundohet sot nga Presidenti Aleksandar Vuçiq është i vetmi shtet që i mbështet mizoritë që po kryhen në Ukrainë.

“Ne jemi shteti pushteti i të cilit e ka përkrahur kryerjen e sulmit terrorist në të cilin mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Pas përfundimit të hetimeve do të shohim gjithçka, do të shohim se në çfarë mënyrash e kemi bërë këtë. Ne jemi shteti që kemi shpallur ditë zie për ata që kanë kryer sulm terrorist. Ndërsa para kësaj, ne jemi shteti që dëshiron të shkojë në Evropë, por është i vetmi shtet që nuk vendos sanksione kundër Putinit, shteti që i pranon dhe pajtohet me të gjitha mizoritë që po kryhen në territorin e Ukrainës”, ka thënë ajo në një intervistë për gazetën beogradase “Danas”.

Ajo ka thënë se Vuçiqi nuk mund të thotë se nuk ka qenë në dijeni për përgatitjet e këtij sulmi.

“Nuk duhet të jeni afër presidentit ose ta njihni atë për të nxjerrë përfundimin e arsyeshëm se, natyrisht, është e pamundur që ai të mos ishte në dijeni”, ka thënë aj.

Mihajloviq ka thënë se marrja e përgjegjësisë për sulmin nga Milan Radoiçiq, nënkryetari i deritashëm i Listës Serbe, është përpjekje për ta amnistuar Vuçiqin dhe qeverinë e Serbisë.

“Marrja e përgjegjësisë nga Radoiçiqi është vetëm një përpjekje për të shpëtuar Vuçiqin dhe qeverinë. Por, të mos gënjehem. Gjithçka është e qartë për gjithësecilin. Epo, nuk blehen në ‘Maxi’ (supermarket në Beograd) automjetet e blinduara dhe gjithë ato armë, me vlerë mbi pesë milionë euro”, ka thënë ajo.

“Të mos flasim për imoralitetin. Në njërën anë e keni popullin serb që, për shembull në jug të Ibrit, që mezi mbijeton ndërsa nënkryetari i Listës Serbe (Radoiçiqi) jeton në një vilë buzë liqenit, si Blake Carrington (lordi Blake Carrington nga seria televizive amerikane ‘Dinastia’)”, është shprehur Mihajloviq.

 Ish zëvendëskryeministrja serbe ka thënë se, në fund të fundit, Vuçiqi do t’i lë në baltë Radojçiqin dhe të tjerët, për të ruajtur pushtetin e tij.

“Ju lutem, çfarë dimë ne, di e gjithë bota. Për ta ruajtur veten dhe pushtetin e tij, ai (Vuçiqi) do të heqë dorë nga Vulini i përvuajtur që është besnik i tij, nga Radoiçiqi apo nga kushdo tjetër. Pjesa më tragjike e kësaj është se populli ynë në Kosovë e Metohi po pëson për shkak të tyre”, ka thënë ajo.

Mihajloviq ka thënë se Serbia e sotme është po ajo e viteve nëntëdhjetë, kurse në pushtet janë politikanë të njëjtë me Slobodan Milosheviqin, Vojislav Sheshelin dhe luftënxitësve të tjerë serbë.

“Është viti 2023, ne jemi ende në vitet nëntëdhjetë. Kjo lojë me popullin e me ushtrinë, ngritja e shkallës së gatishmërisë luftarake, takimi me arabët dhe me Orbanin (kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban) për të bërë ndonjë aleancë të mundshme, e shtyn Serbinë gjithnjë e më thellë në pus. Prandaj nuk është befasi as mobilizimi i qytetarëve, as përgatitjet, stërvitjet dhe operacionet ushtarake. Tani ne kemi Millosheviqin dhe Sheshelin, por me emra të tjerë”, ka thënë ajo.

Zorana Mihajloviq ka qenë zëvendëskryeministre e Serbisë në periudhën 2014-2022. Prejse nuk është pjesë e qeverisë, ajo është bërë kritike e pushtetit në Serbi dhe Presidentit Vuçiq. Mihajloviq është ndër themelueset e Lëvizjes opozitare “Uvek za Srbiju” (“Gjthnjë për Serbinë”), e cila u themelua pak ditë më  parë.

 (r.m.)