Lamtumirë Robert Dole – ish-kryetari i Shumicës në Senatin Amerikan dhe kandidati për president ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare
Nga Ruben Avxhiu
Robert Dole, një nga figurat më të shquara të politikës amerikane të gjysmës së dytë të shekullit 20, ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare.
Për shqiptarët ai do të mbetet heroi i ditëve më të errëta e të vështira për Kosovën, miku i madh që me vizitën e tij historike të vitit 1990 ndërkombëtarizoi kauzën për liri të popullit të saj.
Jo rastësisht, gazeta “Illyria” ishte ndoshta burimi i parë në SHBA dhe në botë që njoftoi për vdekjen e tij. Lajmin e mësuam nga Jim Xhema, bashkatdhetari ynë i njohur që për gati katër dekada ka pasur një miqësi të ngushte me zotin Dole.
Botuesi i gazetës, Vehbi Bajrami, që ka qendruar në lidhje me Jim Xhemën për fatin e Senatorit të shquar të Amerikës, kujton se në numrin e parë historik të gazetës “Illyria”, në qershor 1991, u botua një letër personale përshëndetëse nga Senatori Bob Dole që i uronte gazetës sonë sukses në rrugën e saj. Ai mbeti në këto 30 vjet, një burim frymëzimi dhe krenari për ne dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës.
Një amerikan i madh
Bob Dole, siç njihej shkurt nga të gjithë, ishte një nga të mbijetuarit e fundit të të ashtuquajturit Brezit të Madh të amerikanëve.
Një gjeneratë që u rrit mes shtrëngicave të Depresionit të Madh, që sapo hynte në jetë u mobilizua në luftë, duke dhënë jetën me qindramijëra (vetë Dole u plagos rëndë në Itali dhe nuk besoj se do të mbijetonte), u formula në vitet e para të Luftës së Ftohtë, dhe ishte brezi që udhëhoqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fitoren e dytë të madhe të shekullit 20, të kundër komunizmit.
Djali i rritur në arat e Kansasit shkoi ushtar kur Shtetet e Bashkuara hynë në luftë në 1942. Dole u shqua në luftë dhe u dekorua për trimëri duke marrë dy Zemra të Porpurta dhe një Yll Bronxi. Në prill të vitit 1945, u plagos rëndë gjatë një beteje afër Bolonjës, në Itali, nga nazistët. Shokët e luftës menduan që do të vdiste dhe i dhanë maksimumin e morfinës që lejohej.
Megjithatë, përpara se ta linin trupin e tij i shkruan shkronjën “M” në ballë. Ishte shenja që ushtari e kishte marrë dozën e morfinës dhe një dozë shtesë do të ishte vdekjeprurëse.
Dole nuk vdiq për habinë e tyre por u desh një kohë e gjatë për ta marrë veten. Një ortoped i njohur e operoi shtatë herë. Dora e djathtë i doli jashtë përdorimit, kurse krahu i majtë i mbeti me probleme. Mirëpo, forca e tij e brendshme dhe dëshira për të jetuar triumfoi.
Vazhdoi shkollën e lartë, u angazhua në jetën publike. Nuk është e lehtë për një politikan që të mos jetë në gjendje të shtrëngojë duart e njerëzve me dorën e tij të djathtë, ndërsa ka probleme edhe me të majtën, po Dole jo vetëm që ia doli mbanë por u bë shpejt i njohur. Fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve në shtetin e Kansasit e pastaj në Kongresin Amerikan.
Në 1968, u zgjodh në Senatin Amerikan, ku përfaqësoi Kansasin deri në vitin 1996, kur dha dorëheqjen për të kandiduar për President.
Spitali ku u kurua quhet sot Qendra Federale Hart-Dole-Inouye për nder të tre pacientëve që u bënë Senatorë të Amerikës.
Një mbështetës i madh i Kosovës dhe shqiptarëve
Bob Dole u afrua për herë të parë për të mbështetur kauzën e Kosovës nga kongresisti Joe DioGuardi. Në takime fondmbledhëse u takua me anëtarë të komunitetit që më vonë do të formonin Ligën Qytetare, si Prof Sami Repishti dhe disa biznesmenë ndër të cilët Jim Xhema.
Lidhja me veprimtarin Xhema ishte vendimtare. I lindur në Luginën e Preshevës, Jim Xhema kishte lënë punën si mësues për të ndjekur rrugën e shumë shqiptarëve të tjerë në mërgim. Në SHBA kishte hapur biznesin e tij të ndërtimit që i solli një sukses të jashtëzakonshëm. Origjina dhe jeta e tij janë përshkruar bukur në librin “Shqiptarët e Amerikës” të autorit Vehbi Bajrami. Pasurinë e madhe që krijoi e vuri masivisht në shërbim të kauzës shqiptare dhe Kosovës në veçanti.
Si e tregon ai vetë, gjatë një bisede të hershme me Senatorin Dole, Jim Xhema i tha se ishte rritur në fshat, në një fermë.
“Edhe unë”, i ishte përgjigjur Senatori. Shumë shpejt zbuluan se kishin shumë gjëra të përbashkëta nga fëmijëria e tyre, ndonëse ishin rritur në dy skaje të largëta të botës.
Gjatë këtyre dekadave miqësia u rrit. Xhema e mbështeti në betejat e tij politike, kurse Dole mbështeti me forcë kauzën e Kosovës.
Gati 30 vjet më parë, në 29 gusht 1990, Bob Dole dhe gjashtë Senatorë të tjerë të Amerikës vizituan Prishtinën, duke luajtur një rol të pakrahasueshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Megjithë veprimet lobiste në SHBA dhe rezolutat e dëgjesat në Kongresin Amerikan, Kosova ishte thellësisht e panjohur për opinionin publik amerikan.
Dole ishte një figurë e madhe e Senatit dhe një delegacion prej shtatë anëtarësh të Senatit Amerikan ishte diçka e madhe. Ngjarja katapultoi Kosovën në qendër të zhvillimeve të ditës. Millosheviqi nuk mund të pretendonte më se ishte një çështje e brendshme.
30 vjet pas kësaj ngjarjeje, Kosova e pavarur nderoi Senatorin Dole me një statujë dhe një pllakë përkujtimore. Duke përshëndetur me një mesazh me video nga SHBA, miku i tij Jim Xhema tha:
“33 vjet më parë, kur u takova personalisht me Senatorin Dole, Udhëheqësi i Shumicës në Senatin Amerikan, i tregova se isha shqiptar dhe isha rritur në fshat ashtu si edhe ai në pllajat e Kansasit. Të dy zbuluam se kishim pasur fëmini të ngjashme dhe se ishim edukuar me të njëjtat parime. Kemi miq edhe sot e kësaj dite”.
Një vit mbas kthimit nga Kosova, në 1991, Senator Bob Dole i shkroi një letër gazetës sonë “Illyria”, ku veç të tjerash thoshte: “…Unë krenohem që jam njëri nga miqtë tuaj [në Washington]. Të gjithë ne këtu jemi të vendosur që të bëjmë gjithshka që është e mundur për sigurimin e drejtësisë në Kosovë qoftë duke ushtruar trysni mbi autoritetet jugosllave dhe serbe, qoftë duke kërkuar nga qeveria jonë që të bëjnë atë që duhet bërë”.
Se çfarë donte të thoshte me këtë të fundit e mësuam kur Presidenti George HW Bush shpalli “Paralajmërimin e Krishtlindjes” që shërbeu si bazë edhe për ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999 në Kosovë.
Që prej asaj vizite, të largët, gjatë këtyre 30 vjetëve, Senatori Dole ka vijuar të ndihmojë shqiptarët sa herë që ka qenë nevoja. Ai mbështeti Presidentin Clinton për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Pas çlirimit të Kosovës Presidenti Rugova e shpalli Ambasador Nderi të Kosovës dhe caktoi si emisar të tij në zyrën e Bob Dole veprimtarin Elmi Berisha, sot kryetar i Federatës Vatra.
Dole loboi për pavarësinë e Kosovës pranë Presidentit George W Bush dhe e mbështeti vendimin e tij për të njohur Kosovën.
Edhe tashmë vonë, kur Administrata e Presidentit Donald Trump solli me vete njerëz të rinj që nuk e njihnin shumë Kosovën, ish-Senatori Dole si një nga përkrahësit e hershëm të Presidentit Trump ishte një garanci e madhe për fatin e Kosovës dhe ndihmoi sa herë që qe nevoja në favor të Kosovës.
Ëndrra presidenciale
Duke pasur parasysh këtë lidhje të fortë, nuk është habi që shqiptarët ëndërronin që Bob Dole të zgjidhej President i Shteteve të Bashkuara.
Në fakt, rruga e tij drejt Shtëpisë së Bardhë, filloi herët që në vitin 1976, kur kandidoi për zëvendës-president me Presidentin republikan Gerald Ford. Në atë kohë fitoi Jimmy Carter i Demokratëve.
Në 1980, Dole vendosi të kandidonte vetë për president, por u tërhoq shpejt pas dy votimeve të para. Triumfoi Ronald Regan, që mbeti president deri në 1988. Atë vit Dole kandidoi përsëri kësaj here rivali kryesor në Partinë Republikane ishte George HW Bush.
Dole fitoi në betejën e parë në Ioëa dhe pastaj fitoi edhe në katër shtet të tjera. Por, Bush fitoi të gjitha shtetet e jugut në Të Martën e Madhe të zgjedhjeve paraprake duke dalë në krye si kandidati kryesor. Pak ditë më vonë, Dole u tërhoq nga gara.
Harry Bajraktari tregon një histori interesante nga viti 1992, kur shqiptarët të zhgënjyer nga refuzimi i Presidentit Bush për të njohur Kosovën, bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë i thanë Senatorit Dole se mund të votonin për demokratin Clinton, Dole u tregua i sinqertë me ta dhe u tha se kur vinte puna për Kosovën, Guvernatori Clinton dukej si zgjedhja më e mirë.
Në fakt, Clinton fitoi dhe katër vjet më vonë, Dole kandidoi përsëri për President duke filluar nga 1995.
Ishte një zgjedhje që i ndau shqiptarët në dysh. Një pjesë e madhe, jo pa të drejtë besonin se Presidenti Clinton mbetej shpresë e madhe për Kosovën. Administrata e tij e kishte ftuar disa herë Presidentin Rugova në Washington dhe Kosova ishte bërë pjesë e politikës së jashtme amerikane.
Mirëpo Dole ishte një mik i vjetër. Ai fliste hapur për Kosovën dhe ishte i vetmi kandidat për president në historinë e SHBA-së që kishte vizituar trojet shqiptare.
Shumë shqiptarë u angazhuan në fushatën zgjedhore për kandidatin Dole që duhej të fitonte së pari garën brenda Partisë Republikane. “Shqiptarët për Dole” morën një mikrobus me qira dhe udhëtuan në Neë Hampshire për të bërë fushatë për të. Pastaj në shtete të tjera. Jim Xhema mori pjesë dhe organizoi disa takime fondmbledhëse.
Dole fitoi garën dhe u shpall në moshën 73 vjeçare kandidat për President i Partisë Republikane. Po të fitonte do të bëhej presidenti më i moshuar në historinë e Amerikës. (Reagan kishte qenë 69 kur u zgjodh president.)
Mosha luajti rol në këto zgjedhje, sidomos një episod kur Dole iu rrëzua gjatë një tabimi në California. Anketimet paralajmëruan humbjen e tij të thellë. Ross Perot që kandidonte përsëri si në 1992 ndikoi gjithashtu negativisht. Me një editorial, “Illyria” mbështeti përsëri Presidentin Clinton për t’u rizgjedhur.
Në fund, diferenca ishte vërtet e thellë:
Clinton 49,2% (379 kolegje elektorale)
Dole 40,7% (159)
Perot 8,4%
Shqiptarët që besuan te Presidenti Clinton u shpërblyen në vitin 1999 kur SHBA udhëhoqi NATO-n në luftë për çlirimin e Kosovës.
Vetë Bob Dole nuk i mbajti asnjë mëri Presidentit Clinton, madje bashkëpunoi me të pas humbjes. “Disa kujtuan se do të më përdonin si shkop për katër vjet me radhë për të goditur presidentin, por unë preferova një model tjetër”, tregoi më vonë ai.
Në fakt, një nga pikat ku bashkëpunuan shumë ishte Kosova. Ish-Senatori Dole vizitoi Kosovën në vitin 1998, në mes të luftës. Ai u kthye dhe dëshmoi për çfarë kishte parë në Kongresin Amerikan. Pastaj në mënyrë të drejtpërdrejtë ngulmoi te Presidenti Clinton që të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë.
Në vitin 2002, që të dy Clinton dhe Dole u bashkuan për Darkën Vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) në Washington. Në atë mbrëmje, Jim Xhema u nderua me Çmimin e Arritjeve të Jetës nga NAAC dhe ishte Bob Dole që ia dhuroi Çmimin.
Duke folur përpara shqiptarëve të Amerikës, atë mbrëmje, Bob Dole tha: “Ata që dyshojnë se Amerika është toka e mundësive të mëdha, duhet të hedhin sytë edhe tek shumë burra e gra në këtë sallë, që kanë po ato cilësi të veçanta si Xhema dhe që ashtu si ai po realizojnë ëndrrën amerikane, duke lënë një këmbë dhe, fatmirësisht, edhe një xhep, në Kosovë”.
Për ndihmën e tij të pakursyer në vite, shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë. Madje, bashkëpunimi me të do të vazhdojë në një farë mënyrë edhe pas vdekjes së tij.
Instituti i njohur i Politikës “Robert J Dole”, pranë Universitetit të Kansasit, ku studio ish-Senatori do të ketë edhe Fondin e Mundësisë “Jim Xhema”, fryt i një financimi prej gjysëm milioni dollar nga bashkatdhetari ynë i shquar. Ky fond bujar do të financojë në vitet e ardhshme programe e veprimtari të ndryshme publike e studimore. Për të respektuar dëshirën e zotit Xhema, sa herë që do të jetë e mundur ky fond do të përdoret për të sponsorizuar veprimtari që kanë për temë Shqipërinë, Kosovën, shqiptaro-amerikanët, ose rajonin e Ballkanit në Europën Juglindore. Fondi gjithashtu mund të mbështesë studjuesit që do të bëjnë kërkime shkencore në kuadrin e Koleksioneve Speciale të Arkivit të Robert dhe Elizabeth Dole.
Miqësia që u lidh mes të dyve do të vijojë të japë fryte për dekadat e ardhshme.
Faleenderimet e mia Z. Ruben Avxhiu, autor i ketij shkrimi shembullor.
Miq te sinqerte si Senatori Dole (paste drite) nuk harrohen shpejt. Ata do te jetojne ne kujtimn e miljona shqiptareve per aktivitetin e tij politik ne sherbim te Kosoves dhe te çeshjes shqiptare ne pergjithesi.
E kam takue shpesh here Senatorin Dole ne Washington W.C., dhe ai me quente “Jim Xhema’s lieutenant” U krijue nji amosfere miqesie te vertete.
Gjate studimeve per jurisprudence ne The University of Virginia Law School, vajza e ime, Ava, sherbeu prane zyres se Senatorit dhe gjithehere shprehte admirimin e saj per sjelljet e Senatorit Dole si nji personalitet i madh dhe i vlefshem.
Une nuk do te harroj kurre sherbimin e madh te Senatorit Robert J.Dole ne perpekjet tona per pavaresine e Kosoves, dhe Kosova do te jete gjithemone mirenjohese
Pushofte ne Paqe!.