Klubi i turk futbollit “Fenerbaçe” ka përkujtuar sot me rastin e përvjetorit të vdekjes, gazetarin e shquar sportiv shqiptaro-turk, Islam Çupi.
I lindur në Tiranë, në 1932, ai ishte djali i Allaman Çupit, adjutantit të Ahmet Zogut, familja e të cilit u vendos në Turqi, pas ardhjes në pushtet të komunistëve.
Islami e bëri shkollën e mesme në Turqi dhe madje tregoi talent si futbollist në vitet e rinisë. Por suksesin do ta arrinte në gazetari.
Filloi si reporter në moshën 25 vjeçare duke punuar në një numër gazetash, ku u shqua sidomos në gazetën “Milliyet”, në të cilën punoi që nga viti 1981, deri në fund të jetës.
Është konsideruar si shkollë më vete në gazetari, për stilin, mjeshtërinë në përdorimin e gjuhës turke, dhe po të bazohesh në profilin e tij në Wikipedia, “inteligjencën superiore”. Fitues i 26 çmimeve si gazetar, ai ishte hero për shumë të rinj turq që vendosën të bëhen gazetarë duke ndjekur shembullin e tij. Shkrimet e tij janë përmbledhur në disa libra të botuara pas vdekjes.
Islam Çupi vdiq patpritmas, njëzetenjë vjet më parë, nga një sulm në zemër, në 6 shkurt 2001.
Pesë vjet më vonë, tribuna e shtypit në Stadiumin e Fenerbaçesë, mori emrin “Tribuna Islam Çupi”! (Ruben Avxhiu)