Ismail Kadaresë i jepet nënshtetësia e Kosovës

Prishtinë, 1 gusht 2023 – Presidentja Vjosa Osmani sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare, është nderim për shtetin e Kosovës sepse ai është pikë e rëndësishme references për shqiptarët kudo në botë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Presidentja Osmani do t’ia dorëzojë pesonalisht dekretin e shtetësisë Ismail Kadaresë, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, në një periudhë të afërt.

Në qershor të këtij viti, Presidentja Osmani e kishte dekoruar Kadarenë me urdhrin “Hasan Prishtina”. Kjo është dekorata më e lartë që jepet në Republikën e Kosovës për personalitetet më të rëndësishme në fushë të artit e kulturës.

(r.m.)