Ismail Qemal Vlora në Staten Island, Amerikë

Takim pune për ditën historike 3 Qershor

Nga Këze Kozeta Zylo

Në mjediset e Nino’s Restaurant në Staten Island u mblodh grupi organizativ i punës për vendosjen e emrit të një rruge në Staten Island me emrin e Atit të Pavarësisë Ismail Qemali.

Dy inisiatorët kryesor të kësaj rruge z. Naser Nika dhe Dr. Bari Ceka doktori i 27 mijë pacientëve na ftuan si grup organizativ për të diskutuar për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Në këtë mbledhje ishin të ftuar gjithashtu dhe anëtarë të Komunitetit në Staten Island që duan të ndihmojnë për këtë ngjarje të madhe.

Nderonte me pjesëmarrjen e tij z. David Carr Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe njëkohësisht ndihmoi me ligj në Bashkinë e Nju Jorkut për vendosjen e emrit të madh Ismail Qemal Vlora.

Z. Qemal Zylo foli në emër të grupit të punës për përgatitjen e programit dhe të ceremonisë zyrtare që do të bëhet ditën e shtunë.  Diskutantët si Dr. Bari Ceka, Naser Nika i cili e drejtonte mbledhjen, z. Shpëtim Qorraj, z. Dash Miftari kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dibra” etj u interesuan në detaje për aktivitetin dhe problemet e ndryshme që mund të dalin deri në këtë aktivitet.  Sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti dhe moderatori, artisti plot të ardhme Bledar Maqellara falënderuan të pranishmit dhe folën me optimizëm se ky aktivitet do të jetë me profesionalizëm dhe kulturë.

Dr. Bari Ceka, z. David Carr, Dëshira Ahmeti, etj ftuan të gjithë shqiptarët para kamerave që të marrin pjesë masivisht në këtë ditë të dielltë në Staten Island, pasi në këtë qytet magjik do të vendoset emri i Atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali. 

Kur dëgjoja këta atdhetarë që ftonin shqiptarët të vinin në këtë ceremoni, në kokë më endeshin fjalët e Ismail Qemalit në Ditën e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor, 1912 i cili ka thënë:  “Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lire”.

Doemos dhe ne të gjithë do të gëzohemi dhe lumturohemi ditën e shtunë, ditën e Ismail Bej Vlorës.

Ju mirëpresim, më 3 Qershor, ora 11 paradite në Staten Island!

30 Maj, 2023

Staten Island, New York