Tel Aviv, 14 prill 2024 – Forcat izraelite dhe aleate rrëzuan “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani, gjatë një sulmi të paprecedentë kundër Izraelit.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.
Shpërthime të forta mund të dëgjoheshin mbi shumë pjesë të Izraelit, në orët e hershme të 14 prillit.
Autoritetet izraelite raportuan vetëm dëme të lehta në një instalim ushtarak izraelit dhe thanë se një vajzë shtatëvjeçare u plagos rëndë, pasi më shumë se 200 dronë dhe raketa u ndaluan përpara goditjes.
“Ne jemi gati për çdo skenar, si për mbrojtje, ashtu edhe për sulm. Shteti i Izraelit është i fortë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Mediat amerikane dhe britanike raportuan se forcat e tyre të armatosura morën pjesë në rrëzimin e raketave mbi zonën kufitare Irak-Siri, derisa fluturonin në drejtim të Izraelit.
Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq të ashpër prej dekadash, por ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i njërit në tokën e tjetrit.
Ai vjen pas një sulmi në konsullatën e Iranit në Siri, më 1 prill, kur u vranë shtatë oficerë ushtarakë, përfshirë një komandant të lartë.
Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, ndërsa Izraeli as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.
Sulmi kundër Izraelit vjen, po ashtu, në kohën e tensioneve midis Iranit dhe Perëndimit, lidhur me luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës.
Irani e cilësoi operacionin e tij kundër Izraelit si “përgjigje ndaj agresionit të regjimit zionist kundër objekteve tona diplomatike në Damask”.
Misioni i tij në Kombet e Bashkuara e konsideroi atë si të përfunduar.
“Megjithatë, nëse regjimi izraelit bën ndonjë gabim tjetër, përgjigjja e Iranit do të jetë dukshëm më e ashpër. Është një konflikt mes Iranit dhe regjimit mashtrues izraelit, nga i cili SHBA-ja duhet të qëndrojë larg”, shkroi misioni i përhershëm i Iranit në OKB në platformën X.
Sulmi iranian u dënua menjëherë nga shumë qeveri të botës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është “thellësisht i shqetësuar për rrezikun shumë real të përshkallëzimit shkatërrues të situatës në gjithë rajonin”.
“Unë e kam theksuar vazhdimisht se as rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër”, tha Guterres, duke kërkuar përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira.
Agjencia e lajmeve, Reuters, citoi një burim diplomatik të ketë thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet gjatë ditës së diel, me kërkesë të Izraelit, për të shqyrtuar dënimin e sulmit iranian dhe shpalljen e Gardës Revolucionare të Iranit organizatë terroriste.
Presidenti amerikan, Joe Biden, siguroi se SHBA-ja do ta mbështesë fuqishëm Izraelin.
Ai tha se forcat amerikane ndihmuan që “të rrëzohen pothuajse të gjithë dronët dhe raketat” që shkonin në drejtim të Izraelit.
Përmes një deklarate për media, Biden tha se, gjatë javës së kaluar, ka dislokuar në rajon avionë ushtarakë amerikanë dhe shkatërrues të mbrojtjes raketore balistike.
“Falë këtyre dislokimeve dhe kapaciteteve të jashtëzakonshme të pjesëtarëve tanë të shërbimit, ne e ndihmuam Izraelin t’i rrëzonte pothuajse të gjithë dronët dhe raketat që po hynin [në territorin e tij]”, tha Biden.
“I dënoj këto sulme në termat më të ashpër të mundshëm”, shtoi ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se SHBA-ja “nuk do konflikt” me Iranin, por shtoi se “nuk do të hezitojë të veprojë për t’i mbrojtur forcat tona dhe për ta mbështetur mbrojtjen e Izraelit”.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, e dënoi sulmin e Iranit dhe tha se avionë shtesë të forcave britanike janë vendosur në rajon.