Tel Aviv / Ankara, 17 gusht 2022 – Izraeli dhe Turqia do të rivendosin marrëdhënie të plota diplomatike dhe do të dërgojnë ambasadorët e tyre në shtetet përkatëse, për herë të parë pas shumë vitesh.
Kryeministri në detyrë i Izraelit, Yair Lapid, tha se ky është një kontribut i rëndësishëm për paqen e stabilitetin në rajon.
“Rivendosja e raportet me Turqinë është një aset i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe një lajm shumë i rëndësishëm ekonomik për qytetarët e Izraelit”, tha Lapid, përmes një deklarate zyrtare.
Ky vendim vjen pas vizitës që ai bëri në muajin qershor në Ankara, ku zhvilloi bisedime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thuhet në deklaratë.
Marrëdheniet mes Turqisë dhe Izraelit, që dikur ishin aleatë të ngushtë, u përkeqësuan në vitin 2010, kur marina izraelite e sulmoi një anije që po dërgonte ndihma në Gaza, me ç’rast u vranë dhjetë shtetas të Turqisë.
Dy shtetet kanë bërë një përmirësim të marrëdhënieve në vitin 2016, por në vitin 2018 midis tyre përsëri pati mosmarrëveshje lidhur me hapjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem.
Turqia nuk e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe ambasada e saj gjendet në Tel Aviv.
“Edhe ne kemi vendosur ta emërojmë ambasadorin tonë në Izrael, në Tel Aviv”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një prononcim për gazetarë në Ankara, më 17 gusht.
Por, Cavusoglu tha se Turqia do të vazhdojë ta mbrojë kauzën palestineze, pavarësisht vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
“Siç e kemi thënë gjithmonë, ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e palestinezëve”, tha ai.
Palestinezët duan që shteti i tyre i ardhshëm të krijohet në territoret që Izraeli mori në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Bisedimet për zgjidhjen e konfliktin izraelito-palestinez kanë ngecur që nga viti 2014.
(Sipas REL)