Jerusalem, 1 shtator 2024 – Izraeli njoftoi se i ka tërhequr trupat e pajetë të gjashtë pengjeve në Gazë, përfshirë atë të të riut izraelito-amerikan Hersh Goldberg-Polin, prindërit e të cilit u takuan me liderët botërorë dhe bënë thirrje për lirimin e tij.
Hersh Goldberg-Polin, 23 vjeç, nga Kalifornia, ishte marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit. Ai e kishte humbur krahun e majtë, gjatë një sulmi me granatë. Në muajin prill Hamasi e publikoi një video të tij, ku u pa se ai e kishte humbur krahun e majtë, gjë që nxiti protesta në Izrael, përmes së cilave nga Qeveria e Izraelit u kërkua të bëjë më shumë për lirimin e pengjeve.
Ushtria njoftoi se zraelite i identifikoi edhe pengjet e tjera: Ori Danino, 25 vjeç, Eden Yerushalmi, 24 vjeç, Almog Sarusi 27 dhe Alexander Lobanov 33 vjeç, të cilët ishin marrë më 7 tetor, si edhe Carmel Gat, 40 vjeç, që ishte rrëmbyer nga komuniteti Beri.
Ushtria izraelite tha se trupat e tyre u gjetën në një tunel në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, rreth 1 kilometër larg nga vendi ku javën e kaluar u shpëtua i gjallë pengu Qaid Farhan Alkadi, 52 vjeç. Sipas saj, të gjashtë pengjet u vranë pak para se të shpëtoheshin nga forcat izraelite.
“Sipas informacioneve të para, ata u vranë mizorisht nga terroristët e Hamasit pak para se ne të arrinim te ta”, u tha gazetarëve zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Hamasi nuk i ka komentuar ende raportimet e ushtrisë izraelite për vrasjen e gjashtë pengjeve.
Gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, janë marrë peng afër 250 persona. Para pak ditësh Izraeli tha se besonte se 108 prej tyre vazhdojnë të mbahen në Gazë, kurse afër një e treta e tyre janë të vdekur.
Më shumë se 100 pengje janë liruar në nբntor, gjatë armëpushimit njëjavor, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, kurse tetë pengje janë shpëtuar nga forcat izraelite.
Në dy operacionet e mëhershme të Izraelit për lirimin e pengjeve lanë të vrarë dhjetëra palestinezë. Hamasi ka thënë se disa pengje janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite dhe gjatë operacioneve të pasuksesshme për shpëtimin e tyre. Në muajin dhjetor, trupat izraelite i vranë gabimisht tre izraelitë që kishin arritur të iknin nga vendi ku po mbaheshin peng.
Si pasojë e ofensivës së forcave të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 40.000 palestinezë, ndërsa shumica prej 2.3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ata po kërcënohen nga një katastrofë humanitare, për shkak të mungesës së ushqimit, ujit, shërbimit shëndetësor dhe ilaçeve.
(r.m.)