Jerusalem, 17 tetor 2024 – Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha se udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar, është vrarë në Gazë më 17 tetor.
Ndërkaq, ushtria izraelite po ashtu e konfirmojë vrasjen e udhëheqësit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke shkruar në X se Sinwar “është eliminuar”.
Më herët gjatë 17 tetorit, ushtria izraelite tha se po hetonte nëse Yahya Sinwar ishte vrarë gjatë një operacioni ushtarak në Gazë.
Përmes një deklarate, ushtria tha më 17 tetor se tre militantë u vranë gjatë operacioneve në Gazë, pa dhënë hollësi të tjera. Ushtria tha identitetet e tre të vrarëve ende nuk ishin konfirmuar, por “po shikojmë për mundësinë” që njëri prej tyre të jetë Sinwari.
Sinwari ishte një prej arkitektëve kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, sulm që nxiti luftën në Gazë.
Ai u zgjodh udhëheqës i grupit pas vrasjes së Ismael Haniyehut në korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.
Para se të merrte udhëheqjen e Hamasit, Sinwar kishte drejtuar krahun e armatosur të grupit.
Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Përderisa Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për disa nga vdekjet e zyrtarëve të lartë të Hamasit, ka pranuar se ka vrarë disa zyrtarë, përfshirë Saleh al-Arouriand Mohammed Deif, komandantin ushtarak të Hamasit.
(Radio Evropa e Lirë)