Jerusalem, 26 tetor 2024 – Izraeli sulmoi Iranin me një seri goditjesh ajrore para agimit të së shtunës, në atë që ai tha se ishte një përgjigje ndaj breshërisë së raketave balistike që Republika Islamike hodhi mbi Izraelin në fillim të muajit tetor.
Ushtria izraelite tha se avionët e saj vunë në shënjestër objektet që Irani përdori për të prodhuar raketat e hedhura në Izrael, si dhe vendndodhjet e raketave tokë-ajër. Izraeli nuk ofroi asnjë vlerësim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga sulmet.
Shpërthimet u dëgjuan në kryeqytetin iranian, Teheran, megjithëse Republika Islamike këmbënguli se ato shkaktuan vetëm “dëme të kufizuara” dhe media shtetërore iraniane i minimizoi sulmet.
Megjithatë, sulmet rrezikojnë t’i shtyjnë armiqtë më afër luftës së përgjithshme në një kohë të dhunës gjithandej Lindjes së Mesme, ku grupet militante të mbështetura nga Irani, duke përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban, janë tashmë në luftë me Izraelin.
“Irani e sulmoi Izraelin dy herë, duke përfshirë sulemt në zona ku rrezikoheshin civilët dhe ka paguar çmimin për këtë”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari në një video deklaratë.
“Ne jemi të përqendruar në objektivat tona të luftës në Rripin e Gazës dhe në Liban. Është Irani ai që vazhdon të nxis një përshkallëzim më të gjerë rajonal”.
Fotografitë dhe videot e publikuara nga Izraeli shfaqën kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, duke u takuar me këshilltarët ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë në një dhomë konferencash në një qendër komandimi dhe kontrolli ushtarak në bazën ushtarake Kirya në Tel Aviv.
Sulmet e para agimit të së shtunës, shënuan herën e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin, i cili nuk është përballur me një breshëri të vazhdueshme zjarri nga një armik i huaj që nga lufta e tij e viteve 1980 me Irakun.
Sulmet ishin pjesë e “detyrës së Izraelit për t’iu përgjigjur” sulmeve nga “Irani dhe zgjatimet e tij në rajon”, tha zëdhënësi Hagari.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e përmbushën misionin e tyre”, tha ai. “Nëse regjimi në Iran do të bëjë gabimin duke filluar një raund të ri përshkallëzimi, ne do të jemi të detyruar të përgjigjemi”.