Izraeli njofton se do të mbyllë ambasadën në Irlandë për shkak të qëndrimeve të Dublinit për Gazën

Jerusalem / Gazë, 15 dhjetor 2024 – Izraeli tha të dielën se do të mbyllë ambasadën e tij në Irlandë pasi marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan për shkak të luftës në Gazë, ku zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se sulmet e reja ajrore izraelite vranë mbi 30 vetë, përfshirë disa fëmijë.

Vendimi për mbylljen e ambasadës erdhi si përgjigje ndaj atyre që ministri i Jashtëm i Izraelit i cilësoi si “politikat ekstreme anti-izraelite të Irlandës”.

Në maj, Izraeli tërhoqi ambasadorin e tij në Dublin pasi Irlanda njoftoi, së bashku me Norvegjinë, Spanjën dhe Slloveninë, se do ta njihte një shtet palestinez. Kabineti irlandez vendosi javën e kaluar të ndërhyjë zyrtarisht në çështjen e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e akuzon Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gazë. Izraeli e mohon një gjë të tillë.

“Ne shqetësohemi se një interpretim shumë i ngushtë i asaj që përbën gjenocid çon në një kulturë të mosndëshkimit ku mbrojtja e civilëve minimizohet,” tha në një deklaratë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Irlandës, Micheal Martin.

Në deklaratën për mbylljen e ambasadës, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha se “Irlanda ka kapërcyer çdo vijë të kuqe në marrëdhëniet e saj me Izraelin”.

Kryeministri irlandez Simon Harris e quajti vendimin për mbylljen e ambasadës “thellësisht për të ardhur keq”. Ai shtoi në platformën X: “Unë e hedh poshtë plotësisht deklaratën se Irlanda është anti-izraelite. Irlanda është pro paqes, pro të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar”.

Forcat izraelite vazhduan të dielën të godasin pjesën më të madhe të Gazës veriore të izoluar, ndërsa numri i të vdekurve palestinezë në luftë ka arritur në pothuajse 45,000.

Një sulm ajror goditi shkollën Khalil Aweida në qytetin Beit Hanoun dhe vrau të paktën 15 vetë, sipas spitalit aty pranë Kamal Adwan ku u dërguan viktimat. Mes të vdekurve ishin dy prindër dhe vajza e tyre dhe një baba dhe djalin e tij, tha spitali. Në qytetin e Gazës, të paktën 17 persona, përfshirë gjashtë gra dhe pesë fëmijë, u vranë në tre sulme ajrore që goditën shtëpitë që strehonin personat e zhvendosur, sipas Spitalit Baptist Al-Ahli.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë tha se kishte goditur një “celulë terroriste” në qytetin e Gazës dhe një “pikë ku takoheshin terroristët” në zonën Beit Hanoun.

Një tjetër sulm ajror izraelit vrau një gazetar palestinez që punonte për Al Jazeeran Ahmed al-Lawh, në Gazën qendrore, tha një spital dhe stacioni televiziv me bazë në Katar. Sulmi goditi një pikë për agjencinë e mbrojtjes civile të Gazës në kampin urban të refugjatëve Nuseirat, tha Spitali Al-Awda. Po ashtu u vranë tre punonjës të mbrojtjes civile, përfshirë kreun e agjencisë në Nuseirat, sipas spitalit të martirëve al-Aksa.

Mbrojtja civile është agjencia kryesore e shpëtimit të Gazës dhe operon nën qeverinë e drejtuar nga Hamasi. Lufta në Gazë filloi pasi Hamasi dhe militantë të tjerë nga Gaza sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 200.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë pothuajse 45,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës e cila nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve, por thotë se mbi gjysma e të vdekurve kanë qenë gra dhe fëmijë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*