Jerusalem, 22 tetor 2024 – Ushtria izraelite tha të martën se një nga sulmet ajrore të saj pranë Bejrutit në fillim të këtij muaji vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut, i cili pritej gjerësisht të ishte udhëheqësi i ardhshëm i grupit.
Grupi militant nuk e ka konfirmuar njoftimin për fatin e Hashem Safieddines. Safieddine, një klerik i fuqishëm brenda radhëve të grupit, pritej të pasonte Hassan Nasrallahun, një nga themeluesit e grupit, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në shtator.
Izraeli tha se Safieddine u vra nga një sulm ajror në fillim të tetorit në një periferi në jug të Bejrutit. Rreth 25 udhëheqës të tjerë të Hezbollahut u vranë gjatë sulmit, tha Izraeli.
Sulmet izraelite në muajt e fundit kanë vrarë shumë pjesëtarë të udhëheqjes më të lartë të Hezbollahut, duke e lënë grupin në kaos.
Periferia e Bejrutit ku u vra Safieddine u godit nga një sërë sulmesh të reja ajrore të martën. Ushtria izraelite shkatërroi një ndërtesë në Dahiyeh pranë Bejrutit, ku sipas saj strehoheshin objekte të Hezbollahut.
Sulmi ajror ndodhi 40 minuta pasi Izraeli bëri një paralajmërim evakuimi për dy ndërtesa në atë zonë që sipas tij përdoreshin nga Hezbollahu. Nuk pati njoftime të menjëhershme për viktima.
Ndërkohë zëdhënësi kryesor i Hezbollahut, Mohammed Afif, tha se ky grupi ishte pas sulmit me dron të shtunën ndaj shtëpisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu në qytetin bregdetar të Cezaresë. Ai la të kuptohet se mund të ndërmerren sulme të ardhshme në shtëpinë e Kryeministrit Netanyahu. Izraeli ka thënë se as kryeministri dhe as gruaja e tij nuk ishin në shtëpi në momentin e sulmit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të martën me zotin Netanyahu si pjesë e vizitës së tij të 11-të në rajon që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas. Pas vrasjes nga Izraeli javën e kaluar të udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, zoti Blinken po përpiqet të ringjallë përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza. Deri tani, Izraeli dhe Hamasi nuk duken të hapur për një gjë të tillë.
Zoti Blinken theksoi nevojën që Izraeli të bëjë më shumë për të ndihmuar në rritjen e fluksit të ndihmës humanitare për palestinezët dhe tha se Izraeli duhet të “përfitojë” nga kushtet e krijuara nga vdekja e Sinwarit si një mundësi për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për të siguruar lirimin e pengjeve.
Zyra e zotit Netanyahu e quajti takimin e tij me zotin Blinken, i cili zgjati më shumë se dy orë, “miqësor dhe produktiv”.
(Zëri i Amerikës)