Jerusalem, 12 tetor 2023 – Izraeli tha të enjten se nuk do të lejojë futjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës derisa izraelitët e marrë peng nga Hamasi të lirohen.
Deklarata erdhi pasi Kryqi i Kuq Ndërkombëtar bëri thirrje që të lejohej dërgimi i karburantit për të parandaluar shndërrimin e spitaleve të mbingarkuara në morgje.
“Pa energji, spitalet rrezikojnë të kthehen në morgje”, tha drejtori rajonal i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Fabrizio Carboni.
Ai iu lut të dyja palëve që të kursejnë civilët, duke theksuar se mungesa e energjisdë rrezikon jetën e foshnjave në inkubatorë, pacientëve të moshuar dhe civilëve të plagosur.
Por, ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz, tha se nuk do ketë asnjë përjashtim, derisa nuk lirohen pengjet izraelitë.
Një numër izraelitësh dhe shtetasish të huaj janë marrë peng të shtunën në Gaza nga militantët e Hamasit. Izraeli thotë se deri më tash janë identifikuar 97 prej tyre.
Sulmeve të befasishme të militantëve të Hamasit, Izraeli u është kundërpërgjigjur me sulme të fuqishme artilerike ndaj Gazës, ku jetojnë më se 2.3 milionë palestinezë.
(r.m.)