Tel Aviv, 23 janar 2024 – Izraeli njoftoi të martën se 24 ushtarë të tij u vranë në Rripin e Gazës, në një nga ditët më të këqija për ushtrinë izraelite që nga fillimi i fushatës së saj për të eliminuar grupin militant Hamas.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u tha gazetarëve se 21 ushtarë po përgatiteshin të shkatërronin dy ndërtesa me eksploziv të hënën, kur një militant qëlloi me një raketë aty pranë dhe eksplozivi në ndërtesa shpërtheu, duke shembur strukturat mbi ushtarët izraelitë. Tre ushtarë të tjerë izraelite u vranë në një sulm tjetër.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria hapi “një hetim mbi tragjedinë”.
“Dje përjetuam një nga ditët tona më të rënda që nga shpërthimi i luftës”, tha kryeministri Netanyahu. “Në emër të heronjve tanë, për hir të jetës sonë, ne nuk do të ndalemi së luftuari deri në fitoren e plotë”.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant shkroi herët të martën në rrjetin X, i njohur deri vonë si Twitter, se ishte një “mëngjes i vështirë dhe i dhimbshëm”.
“Kjo luftë do të përcaktojë të ardhmen e Izraelit për dekadat e ardhshme dhe rënia e ushtarëve është një thirrje për të arritur qëllimet e luftës”, tha ministri Gallant.
בבוקר הקשה והכואב בו בשורת האיוב מגיעה לבתים רבים בישראל, לב כולנו עם המשפחות היקרות בשעתן הקשה מכל.
— יואב גלנט – Yoav Gallant (@yoavgallant) January 23, 2024
זו מלחמה שתקבע את עתיד ישראל בעשרות השנים הבאות – נפילת הלוחמים היא ציווי להשגת מטרות המלחמה.
שולח תנחומים מעומק ליבי למשפחות חללי המערכה ואיחולי החלמה לפצועים.
Forcat izraelite kryen bombardime intensive në jug të Gazës, ndërsa zyrtarët shëndetësorë akuzuan Izraelin për sulme ndaj objekteve shëndetësore.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se bombardimet izraelite goditën selinë e grupit në Khan Younis, “duke përkuar me të shtënat me armë zjarri nga dronët izraelitë, që plagosën individë të zhvendosur brenda vendit që kërkuan siguri në mjediset tona”.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi zëdhënësin e ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Ashraf al Qidra, të ketë thënë se forcat izraelite sulmuan një spital dhe arrestuan personelin mjekësor në Khan Younis.
Izraeli nuk i komentoi këto pohime, por në të kaluarën ushtria izraelite e ka akuzuar Hamasin se operon brenda dhe përreth spitaleve, gjë që Hamasi e mohon.
Shtetet e Bashkuara të hënën i bënë thirrje Izraelit të mbrojë civilët në spitale.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se ndërsa Izraeli ka të drejtë të mbrohet, “presim që ata ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të mbrojnë njerëzit e pafajshëm në spitale, personelin mjekësor dhe pacientët gjithashtu, sa më shumë që të jetë e mundur”.
Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin, i cili qeveris Gazën, pasi grupi militant dërgoi luftëtarë në Izrael më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, sipas të dhënave izraelite. Hamasi, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë, ka marrë peng rreth 240 persona.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se të paktën 25,295 palestinezë janë vrarë në luftë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë. Ministria nuk bën dallimin e civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit në mesin e të vrarëve.
Lufta ka qenë shkatërruese për civilët palestinezë. Kombet e Bashkuara thonë se 85 për qind e popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë dhe një e katërta e banorëve po përballen me urinë.
(Zëri i Amerikës)