Tel Aviv, 9 mars 2024 – Agjencia izraelite e zbulimit Mossad tha sot se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë, pavarësisht zbehjes së shpresave për një armëpushim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Drejtuesi i agjencisë izraelite të zbulimit Mossad, David Barnea u takua me homologun e tij, drejtuesin e CIA-s, William Burns të premten për të nxitur një marrëveshje që do të bënte të mundur lirimin e pengjeve, njoftoi agjencia Mossad në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Kontaktet dhe bashkëpunimi me ndërmjetësuesit vazhdojnë gjatë gjithë kohës në përpjekje për të përafruar qëndrimet dhe për të arritur një marrëveshje”, tha agjencia Mossad.
Izraeli dhe grupi militant islamik Hamas kanë fajësuar njëri tjetrin për bllokimin e bisedimeve në prag të Ramazanit, i cili fillon në 10 mars.
Një burim i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se delegacioni i grupit “nuk ka të ngjarë” të kthehet në Kajro gjatë fundjavës për bisedime.
Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë ndërmjetësuar negociatat për armëpushimin që nga muaji janar. Marrëveshja e fundit çoi në një ndërprerje njëjavore të luftimeve në nëntor, gjatë së cilës Hamasi liroi mbi 100 pengje dhe Izraeli liroi të burgosur palestinezë.
(Zëri i Amerikës)