Tel Aviv, 8 nëntor 2023 – Ushtria izraelite më 8 nëntor publikoi video që tha se shfaq inxhinierët duke hyrë dhe duke hedhur në ajër tunelet e ndërtuara nga grupi militant palestinez, Hamas, në Rripin e Gazës.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, forcat e Izraelit kanë shkatërruar 130 tunele që kur nisi lufta me Hamasin më 7 tetor.
Videoja e publikuar shfaq pamje të incizuara nga kamera e trupit e një ushtari që gjendet brenda, asaj që Izraeli e përshkroi si tunel të Hamasit, e ndërtuar me mure prej betoni. Një pjesë tjetër e videos shfaqi hyrjen në një tunel të supozuar afër ndërtesave të shkatërruara. Në videon e shfaqur po ashtu u panë buldozerë duke nxjerrë rërë e po ashtu u dëgjuan shpërthime që dukej se shkatërronin hyrjet e tuneleve.
Ushtria izraelite nuk tregoi lokacionin se ku ishin incizuar videot, prandaj vërtetësia e tyre nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Hamasi besohet se ka një rrjet masiv të tuneleve nëntokësore në Gazë, që i lejon grupit të transportojë armë, furnizime, por edhe lëvizjen e luftëtarëve.
Që kur nisi lufta, pas sulmit të Hamasit në Izrael që la të vrarë 1.400 persona, ushtria izraelite ka sulmuar nga ajri lagjet e banuara në Rripin e Gazës, duke thënë se sulmet kanë në shënjestër sistemin e tuneleve të Hamasit apo komandantët e këtij grupi. Por, sulmet ajrore kanë shkaktuara dëme edhe në infrastrukturën civile, përderisa sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga luftimet janë vrarë mbi 10.000 palestinezë.
(REL)