Ja si u paraqitën futbollistët e Kombëtares në Europë

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë pozitive për një pjesë të mirë të legjionarëve që janë pjesë e kampionateve në Europë. Edhe pse pa realizime golash, futbollistët kuqezi kanë bërë paraqitje mjaft të mira me klubet e tyre. Nga porta në sulm, nga Strakosha e Selmani te Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Selahi, Abrashi, Broja, Cikalleshi e Uzuni, të gjithë futbollistët shqiptarë kanë pasur minutat e tyre nën këmbë.

Porta, mbrojtja dhe mesfusha kuqezi kanë qenë aktivë këtë fundjavë në Europë, teksa Ardian Ismajli ka qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë për Empolin, së bashku me mesfushorin kuqezi, Nedim Bajrami, në ndeshjen që blutë fituan të dielën ndaj Napolit, duke u vlerësuar me nota të larta nga SofaScore. Edhe Berat Gjimshiti ka dhuruar një paraqitje të mirë me Atalantën, teksa është vlerësuar me notën 7.4 sipas SofaScore.

Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj kanë qenë në fushë që në minutën e parë me ekipin e Lazios në Serie A. Klaus Gjasula gjithashtu ka qenë një nga më të mirët në fushë në Gjermani, duke u vlerësuar me notën 7.2 teksa në Kroaci spikatën paraqitjet e Lindon Selahit dhe Enis Çokajt.

Edhe në Zvicër ka pasur minuta për dy nga mesfushorët kuqezi, Amir Abrashi dhe Ermir Lenjani, ndërsa në Turqi, gardiani kuqezi, Gentian Selmani ka qenë një nga më të mirët për Bolusporin.

Sulmi kuqezi gjithashtu ka qenë aktiv këtë fundjavë, por nuk ka mundur të prodhojë gola. Armando Broja në Premier League-n angleze ka luajtur për 70 minuta, teksa është detyruar të dalë nga loja i dëmtuar, ndërsa në Turqi Sokol Cikalleshi ka qenë për 89 minuta në fushë me Koniaspor. 90 minuta të plota ka luajtur edhe Myrto Uzuni në Hungari, por nuk arriti të bëhet protagonist në ndeshjen që Ferencavaroshi zhvilloi në transfertë.

fshf