Prishtinë, 2 prill 2023 – Në katër komunat veriore të Kosovës më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash. Vendimi për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, erdhi pasi që në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryetarët dhe këshilltarët komunalë nga Lista Serbe, e cila mbante pushtetin në këto komuna, kishin dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e vendit, në shenjë kundërshtimi të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe Asociacionin e komunave me shumicë Serbe.
Aktualisht kjo parti nuk figuron në listën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) si parti garuese në këto zgjedhje lokale. Përfaqësuesit e Listës serbe ishin deklaruar se nuk do të marrin pjesë, pasi nuk janë plotësuar kërkesat e tyre nga organet e vendit.
As dakordimi mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel e Ohër për planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk ka ndikuar që Lista Serbe të jetë pjesë e procesit demokratik zgjedhor në Kosovë.
Mirëpo, në katër komunat veriore të vendit janë disa parti të tjera garuese të cilat janë regjistruar në KQZ-së me kandidatët e tyre për kryetar komunash, duke përfshirë të komunitetit serb, shqiptar dhe komunitetet e tjera.
Në Komunën e Leposaviqit, kandidat për kryetar komune është kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.
Jabllanoviq në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Lista Serbe këtë vendim e ka marr për shkak të interesave politike, i cili, siç tha ai, rezultoi në dëm të qytetarëve.
“Është e rëndësishme që Listën Serbe askush nuk e ka penguar të merr pjesë në zgjedhje. Vendimin për bojkotimin e zgjedhjeve e morën për shkak të interesave të tyre politike dhe ky vendim ishte në dëm të qytetarëve. Unë i shoh zgjedhjet si një mundësi për ndryshimin e qeverisë dhe personalisht jam i lumtur me vendimin e tyre të mospjesëmarrjes në zgjedhje. Kështu, rruga drejt fitores na u lehtësua në një mjedis ku njerëzit sillen me dhunë në qendrat e votimit dhe ku në zgjedhjet e mëparshme, shumë persona të vdekur rezultojnë se kanë votuar. Këtë herë nuk do të jetë kështu dhe për këtë duhet ta falënderojmë Listën Serbe për vlerësimin e gabuar”, tha ai për Telegrafin.
Jabllanoviq tha se si kandidat për kryetar komune do t’u ofrojë votuesve të tij punësimin në të gjitha ato vende ku zyrtarët serbë dhanë dorëheqje në muajin nëntor, me urdhër të Listës serbe.
“Para se gjithash, ne do t’u ofrojmë votuesve tanë punësimin e njerëzve të rinj në të gjitha ato sektorë pune që serbët i lanë në nëntor, me urdhër të Listës Serbe. Krahas largimit të rinjve, për mendimin tim janë edhe disa probleme të tjera kyçe që pushteti vendor nuk i ka zgjidhur. Mendoj për furnizimin me ujë gjatë verës, hedhjen e paligjshme të plehrave, prerjen ilegale të pyjeve..”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se është e nevojshme që sa më shpejt të ripërtërihet bashkëpunimi me institucionet qendrore në Prishtinë.
“Është e nevojshme që sa më shpejt të ripërtërihet bashkëpunimi me institucionet në Prishtinë. Mendoj se ky bashkëpunim mund të jetë i dobishëm jo vetëm për Komunën e Leposaviqit, por edhe për institucionet në nivel qendror. Për shkak të këtij mosbashkëpunimi, dëmet më të mëdha i pësuan qytetarët e komunës së Leposaviqit, dhe u ndalua zhvillimi infrastrukturor i komunës sonë, e cila është ndër më të pazhvilluarat në Kosovë”.
Tutje kandidati për kryetar komune në Leposaviq deklaroi se barrikadat e vitit 2022 ishin ngritur nga Lista Serbe, dhe se qëllimi i tyre ishte parandalimi i zgjedhjeve.
“Jemi dëshmitarë se në dhjetor të vitit 2022 barrikadat u ngritën nga Lista Serbe dhe ato barrikada kishin të vetmin qëllim, parandalimin e zgjedhjeve. Lista Serbe po gabon kur po mendon se pa ta nuk mund të ketë institucione”, u shpreh ai.
I pyetur se a pritet ndonjë tensionim i situatës në këto zgjedhje nga Lista Serbe, ai nuk e përjashton mundësinë e incidenteve që synojnë shtyrjen e zgjedhjeve.
“Lista Serbe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të frikësuar serbët dhe për të zvogëluar daljen e qytetarëve në zgjedhje. Detyra jonë është të motivojmë votuesit në fushatë dhe kështu t’ia prishim planin atyre”.
Jabllanoviq vlerësoi se nëse nëse zgjedhjet e 23 prillit shtyhen sërish, kjo do të jetë kryesisht për shkak të organizimit të dobët të institucioneve në nivel qendror.
“Pasi besoj se institucionet kanë nxjerrë mësime prej ngjarjeve të dhjetorit të vitit 2022, besoj se kësaj radhe do të kenë një qasje më serioze për organizimin e zgjedhjeve”.
Ndërsa, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Jabllanoviq tha se është e qëndrueshme.
“Mjedisi është i tillë që njerëzit përgjithësisht njihen me njëri-tjetrin dhe janë të kujdesshëm që të mos shkaktojnë incidente të mëdha. Policia e Kosovës po përpiqet ta përmirësojë atë situatë, por pa bashkëpunim me institucionet vendore, kjo punë është shumë e vështirë për policinë. Shpresoj se pas zgjedhjeve do të kemi mundësi që t’i përkushtohemi kësaj çështjeje si prioritet dhe që serbët të kuptojnë se me pjesëmarrjen në institucione po mbrojnë në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e tyre dhe të familjeve të tyre, mbi të gjitha, kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë”, ka thënë Jabllanoviq.
Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës priten të mbahen me 23 prill. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar disa parti e kandidat nga partitë politike.
(Telegrafi)