Kryetari i Kuvendit të Kosovës konfirmoi se më nuk do të kthehet në PDK-në, në majat e së cilës ishte qysh prej themelimit të saj – Qendrim shumë kritik ndaj qeverisjes së deritashme, posaçërisht ndaj menaxhimit të parasë dhe pronës publike
Nga Ramadan Muçolli
PRISHTINË, 6 qershor 2013 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka pranuar se për të nuk ka më vend në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ka paralajmëruar formimin e një partie të re. Në emisionin “Rubikon” të Kohavizionit, Krasniqi ka thene se lidhur me këtë ide tashmë i ka nisur bisedimet me shumë njerëz, përfshirë edhe të pakënaqurit brenda PDK-së dhe brenda partive të tjera. Ai ka thënë se vendimin e tij do ta bëjë publik së shpejti.
Duke folur për zhvillimet në PDK, Krasniqi ka thënë se në këtë parti nuk ka vend për këdo që dëshiron ndryshime demokratike dhe ka shprehur bindjen se PDK-ja, me strukturën drejtuese aktuale, e ka të vështirë t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Kuvendit ka thënë se nuk e di nëse do të qëndrojë apo jo në krye të legjislativit deri në fund të mandatit kushtetues, por është shprehur i gatshëm ta analizojë situatën dhe ta marrë një vendim, në qoftë se një gjë të tillë do ta kërkojë PDK-ja.
Ish-sekretari i PDK-së ka folur edhe për mënyrën e qeverisjes në Kosovë dhe ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeverisje tjetër, të ndryshme nga kjo e deritashmja. Gjithashtu, ai ka theksuar se rezultatet e qeverisjes aktuale e shtrojnë domosdoshmërinë që qytetarët të mendojnë seriozisht dhe ndërmarrin veprime për ndryshime cilësore në qeverisje.
“Ndryshimet i duhen shoqërisë së Kosovës, por problemi është se si t’i bëjmë ato ndryshime dhe ata që do t’i zgjedhim a do të jenë të gatshëm dhe a do t’i bëjnë ato ndryshime“, është shprehur Krasniqi.
Sipas tij, as kryeministri aktual Hashim Thaçi dhe as pretendentët tjerë për kryeministër “nuk garantojnë ndryshimet që i duhen Kosovës”.
Duke folur për reformën zgjedhore, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka shprehur bindjen se liderëve të të gjitha partive politike nuk u konvenojnë reformat zgjedhore, pasi atyre u pëlqen të kenë mundësi t’i përzgjedhin vetë kandidatët për deputetë që u shkojnë përshtati.
Kryeparlamentari Krasniqi ka kritikuar qeverinë aktuale edhe për keqmenaxhimin e parasë dhe pasurisë publike.
“Unë mendoj se paraja publike dhe pasuria publike nuk po shfrytëzohet si duhet. Shumëçka është grumbulluar në duar të njerëzve të paditur”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se “po të funksiononte drejtësia, shumëkush do të përgjigjej për këtë”.
I pari i Kuvendit ka kritikuar edhe procesin e privatizimit dhe shitjen e aseteve shtetërore, duke vlerësuar se Qeveria e Kosovës “më shumë ua ka mbajtur anën blerësve se sa qytetarëve të saj”.