Jam i martuar me nënshtetase amerikane – A jam dhe unë nënshtetas tashmë?

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesit: 

Sapo u martova dhe bashkëshortja është nënshtetase amerikane. Dua të aplikoj që prindërit e mi të mund të vijnë në SHBA. A mund t’i dërgoj tani aplikimet për ta dhe të përdor çertifikatën time të martesës si dëshmi që jam martuar me një nënshtetase?

P.D.

Staten Island, NY

Sikur të ishte vërtet kaq e thjeshtë! Martesa me nënshtetasen amerikane nuk ju bën automatikisht nënshtetas amerikan. Duhen dërguar më parë për shqyrtim kërkesa dhe aplikime në mënyrë që të mund të ndodhë diçka e tillë. Gjithashtu, në mesazh nuk është përmendur nëse bashkëshortja juaj ka paraqitur ndonjë kërkesë/peticion në emrin tuaj para se të martoheshit. Për shembull, si nënshtetase amerikane dhe e fejuara juaj, ajo mund të ketë paraqitur një peticion për ju, në mënyrë që ju të mund të merrnit një vizë joemigruese K-1 për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Në këtë rast, martesa juaj do të duhej të kryhej brenda 90 ditëve pas mbërritjes suaj në SHBA. Nëse kjo ka qenë mënyra se si keni ardhur në SHBA, atëherë tani është koha që ju të aplikoni për statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, pra për të kërkuar green card.

Si bashkëshorti i një nënshtetaseje amerikane, mund të keni të drejtë të merrni green card dhe më pas të aplikoni për të marrë dhe ju vetë nënshtetësinë. Që të mund të kualifikoheni për green card si familjar i afërt, si rregull duhet të jeni inspektuar dhe pranuar më parë nga një zyrtar emigracioni. Ekziston një numër i kufizuar përjashtimesh nga kërkesa për të përmbushur kriterin e pranueshmërisë. Si një familjar i afërt, ju mund të paraqisni Formularin tuaj I-485 së bashku (“njëkohësisht”) me Formularin I-130, Petition for Alien Relative të paraqitur në emrin tuaj, ose mund ta paraqisni gjatë kohës që Formulari I-130 – i paraqitur më parë – është në pritje për vendim, ose pasi Formulari I-130 të jetë miratuar (dhe nuk i ka kaluar afati i vlefshmërisë). Numri i vizave emigruese në dispozicion të familjarëve të ngushtë të nënshtetasve amerikanë është i pakufizuar, pra ka gjithnjë viza në dispozicion për këtë lloj kategorie.

Nëse ju miratohet kërkesa për green card dhe kërkoni të bëheni nënshtetas amerikan, pra të “natyralizoheni”, bazuar në faktin që jeni martuar me një nënshtetase amerikane, do t’ju duhet të prisni të paktën 3 vjet. Në përgjithësi mund të paraqisni kërkesën deri në 90 ditë përpara mbarimit të periudhës së 3-vjeçare që kërkon ligji, por kini parasysh që në kohën që dërgoni Formularin N-400 (Application for Naturalization) duhet të keni qenë të martuar për të paktën 3 vjet me nënshtetasen amerikane. Sidoqoftë, aplikantët që paraqesin kërkesën deri në 90 ditë përpara se të kenë përmbushur kërkesën për “prani të pandërprerë” në SHBA duhet që në kohën kur paraqesin Formularin N-400, të përmbushin gjithashtu edhe të gjitha kërkesat e tjera për natyralizim. Nëse këto kërkesa nuk përmbushen brenda periudhën 90-ditore, aplikanti duhet të presë përpara se të paraqesë kërkesën derisa të gjitha kriteret dhe kërkesat të jenë përmbushur, përndryshe, aplikimi nuk do t’i aprovohet, pra do t’i hidhet poshtë.

Cilat janë kërkesat e tjera:

Të jeni të paktën 18 vjeç kur bëni kërkesë; Të keni qenë banor i përhershëm i ligjshëm i Shteteve të Bashkuara për të paktën 5 vjet; Të keni treguar me prova që keni qenë të pranishëm në Shtetet e Bashkuara për të paktën 5 vjet; Të keni jetuar në shtetin përkatës të SHBA-së ose në distriktin përkatës të Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë të SHBA-së (USCIS) ku pretendoni se banoni që prej të paktën 3 muajsh përpara paraqitjes së kërkesës; Të keni treguar me prova se keni qenë fizikisht i pranishëm në Shtetet e Bashkuara për të paktën 30 muaj (913 ditë); Të keni treguar që keni karakter të mirë moral; Të keni treguar që jeni dakort me parimet e Kushtetutës së SHBA-së; Të keni treguar se keni njohuritë bazë të historisë dhe qeverisë së SHBA-së (të njohura si “civics“) si dhe aftësi për të lexuar, shkruar, folur dhe kuptuar anglishten bazë; dhe, jeni të gatshëm të betoheni se do t’i jeni besnikë Shteteve të Bashkuara dhe do të mbështesni qeverinë, ligjet, strukturën sociale si dhe lumturinë e Shteteve të Bashkuara.

Nëse kaloni me sukses intervistën, do të merrni një çertifikatë natyralizimi.  Atëherë do të mund të paraqisni peticion për prindërit tuaj. Fatkeqësisht, e gjithë kjo kërkon shumë kohë, kështu që do të duhet të tregoni durim.

Ju falenderojmë që lexoni rubrikën tonë. Ju vaftë mbarë!

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com

Comment

*