James O’Brien: Mali i Zi është partner i fuqishëm i NATO-s

Podgoricë, 19 shkurt 2024 – Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Mali i Zi është një “partner i fuqishëm i NATO-s” dhe shprehu bindjen se Qeveria malazeze mund të nisë një integrim më të thellë evropian dhe transatlantik.

O’Brien u prit të hënën në Podgoricë nga kryeministri malazez, Millojko Spajiq.

Paraprakisht, ai u takua edhe me prokurorin e lartë dhe special të Malit të Zi.

“Jam i bindur për përkushtimin e Malit të Zi në rrugën evropiane. Fakti që prokurorët po veprojnë me kapacitet të plotë, është një arritje e madhe e qeverive të fundit. Institucionet e ndërtuara do të punojnë për të mirën e qytetarëve”, tha O’Brien.

Më 27 janar, Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi Millorad Markoviqin prokuror të lartë të shtetit – pesë vjet pasi kjo pozitë u mbajt nga ushtrues detyre.

Komisioni Evropian e vlerësoi emërimin e tij si jetik për sundimin e ligjit.

Spajiq tha se në fokus të bisedës së tij me zyrtarin amerikan ishte ekonomia. Ai tha se pret që ekonomia amerikane të jetë shumë më e interesuar për tregun malazez.

“Mali i Zi nuk mund të ecë përpara pa një ekonomi si ekonomia amerikane prej 25 trilionë eurosh. Ne i vlerësojmë miqtë tanë amerikanë që ishin vërtet shumë konstruktivë në lidhje me dialogun ekonomik malazezo-amerikan”, tha Spajiq.

Ai tha se Mali i Zi ka përgatitur një plan prej rreth 90 reformash, të cilat do ta afrojnë atë me tregun e BE-së dhe shtoi se Uashingtoni po e ndjek atë.

O’Brien deklaroi se Bashkimi Evropian është duke përgatitur një paketë për Malin e Zi, e cila duhet t’i zvogëlojë kostot financiare, ta përshpejtojë transportin dhe ta lehtësojë punën e komunitetit të biznesit.

Qeveria e Spajiqit u zgjodh tetorin e kaluar me mbështetjen e Lëvizjes së tij Evropa Tani, Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe, Frontit Demokratik pro-rus dhe partive kombëtare shqiptare.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse mendon se një pjesë e Qeverisë në Mal të Zi është pro-ruse dhe pro-serbe dhe si reflekton kjo në integritetin e vendit si anëtar i NATO-s, O’Brien tha se Qeveria ka paraqitur disa qëllime – mes të cilave edhe rrugën evropiane – dhe se vendi do të mbetet partner i besueshëm i NATO-s.

“Nëse ka nevojë, ne do t’ia tërheqim vërtejtjen Qeverisë [malazeze]”, tha O’Brien.

(REL)