James Rubin do të vizitojë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Uashington, 8 prill 2023 – I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, James P.Rubin, koordinator i Qendrës për Angazhim Global që funksionon në kuadër të DASH-it, do të nisë të hënën një vizitë zyrtare në tri vende të Ballkanit Perëndimor.

Prej 10 deri më 14 prill ai do të qëndrojë në Mal të Zi, në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se në Pogdoricë dhe në Shkup Rubin do të takohet me autoritetet më të larta shtetërore, për të diskutuar për “forcimin e mbështetjes për nismat kundër dezinformimit”.

Rubin do të diskutojë për përballimin e përpjekjeve të Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare përmes dezinformatave.

“Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, të Republikës Popullore të Kinës dhe të aktorëve të tjerë dashakeq që i përdorin dezinformatat për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën dhe se si shtetet tona mund t’u kundërvihen së bashku kërcënimeve në hapësirën e informacionit”, thuhet në njoftimin e DASH.

Në Tiranë Rubin do të takohet me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në njoftimin e DASH-IT vihet re se në agjendën e vizitës së Rubinit në Ballkanin Perëndimor nuk është planifikuar vizitë në Beograd.

Rubin Dash

James Rubin, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit. Ai e ka mbrojtur fjuqishëm vendimin për sulmet ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake e policore të Serbisë dhe për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë.

Në vitin 2013, ai është dekoruar nga Kosova me Medaljen Presidenciale të Meritave, për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës.

Qendra për Angazhim Global funksionon në kuadër të DASH-it dhe synon që të integrojë dhe koordinojë përpjekjet e Qeverisë amerikane për të informuar dhe shpërfaqur përpjekjet për propagandë dhe dezinformim që minojnë politikat e sigurisë dhe stabilitetin e SHBA-së dhe shteteve aleate dhe partnere të saj.

Shtete të Ballkanit Perëndimor, sikurse Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë paralajmëruar për rreziqet nga ndikimet e mundshme ruse në Ballkanin Perëndimor, por edhe për ndikimin e Kinës në disa shtete të rajonit.

Të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Beogradi e ka justifikuar vendimin e tij, duke u thirrur në raportet miqësore që ka me Moskën.

(r.m.)