Jamie Shea: Agresioni rus  ndaj Ukrainës – test për sigurinë kolektive

Bruksel, 1 mars 2021 – Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ka thënë se nuk është optimist se Presidenti  rus Vladimir Putin do të tërhiqet nga planet për pushtimin e Ukrainës.

Zoti Shea, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Putini duket i vendosur ta pushtojë Ukrainën “me çdo çmim.

“Mendoj se ai (Putini) është i përgatitur të shkojë aq larg sa i duhet. Ai e ka nisur këtë dhe është shumë vonë të tërhiqet, sepse rrezikon poshtërimin politik për mospërmbushje të objektivave. Fakti që tani ka sjellë armët termobarike që e thithin oksigjenin nga atmosfera dhe mund të vrasin numër të madh njerëzish, fakti që ka sjellë artileri shumë më të rëndë, fakti që tani sulmon edhe infrastrukturën e Ukrainës, si për shembull rafineritë e naftës, rrjetet e energjisë etj., tregon se ai nuk brengoset nga reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Unë mendoj se ai është i vendosur ta shtypë Ukrainën me çdo çmim”, ka thënë ai.

Zoti Shea ka thënë se Putini nuk ka pritur një reagim kaq të fortë të Perëndimit dhe është i befasuar me disa nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, por ka theksuar se masat e deritashme nuk do ta zbrapsin Putinin nga planet e tij.

“Unë jam personi i parë që e pranoj se sanksionet nuk do ta ndalojnë Putinin në ditët apo javët e ardhshme, që të vazhdojë sulmin ushtarak kundër Ukrainës. Kjo është arsyeja përse Perëndimi duhet të bëjë gjëra të tjera, përveç sanksioneve”, është shprehur ai.

“Ajo që na duhet tani është një plan për t’i ndihmuar ukrainasit që t’i fusin ato armë në Ukrainë. Ekspertët ushtarakë mendojnë se deri në 25% e armatimit mund të kapet ose shkatërrohet nga rusët, përpara se të arrijë te ukrainasit. Pra, kjo është thelbësore, të ndihmohet ushtria ukrainase për të rezistuar dhe të rritet çmimi për Putinin”, ka shtuar z. Shea.

Ai ka thënë se reagimi i Perëndimit ndaj planeve të Putinit për pushtimin e Ukrainës është shumë i vonuar.

“Ne gjithmonë e kemi ditur se Putin është i vendosur ta shtypë pavarësinë e Ukrainës. Unë kam qenë në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008 – ka qenë një samit i NATO-s. Unë kam qenë në dhomë kur Putin ka thënë se për sa i përket atij Ukraina nuk është shtet, është një krijesë artificiale që, në fakt, është pjesë e Rusisë. Kjo ka ndodhur në vitin 2008, kur Putin vinte në samitet e NATO-s dhe ne kishim marrëdhënie relativisht bashkëpunuese me Rusinë, si për shembull në Afganistan, në luftën kundër terrorizmit. Kështu që unë mendoj se ai e ka bërë gjithmonë të qartë armiqësinë e tij ndaj Ukrainës. Mendoj se zhbërja e pavarësisë së Ukrainës dhe rikrijimi i Perandorinë cariste ka qenë gjithmonë pjesë e master-planit të Putinit”, është shprehur ai.

Zoti Shea ka thënë agresioni i Rusisë në Ukrainë është një test serioz për sigurinë kolektive dhe ka shprehur bindjen se bota demokratike tashmë e ka kuptuar këtë.

“Deri më tani, të paktën, ne po reagojmë në ashtu siç nuk kishte reaguar Liga e Kombeve në vitet 1930. Midis amerikanëve dhe evropianëve shohim një unitet që nuk e kemi pasur në vitet 1930. Amerika nuk kishte hyrë në Luftën e Dytë Botërore deri në vitin 1941. Tani po shohim një ndihmë të vërtetë për viktimën, sepse kjo nuk është vetëm krizë për Ukrainën. Mendoj që tashmë secili e ka kuptuar se kjo është një krizë midis diktatorëve autoritarë që mendojnë se forca është e drejtë dhe demokracisë perëndimore e rregullave të bazuara në rendin ndërkombëtar”, ka theksuar z. Shea.

(r.m.)