Jamie Shea: Asociacioni mund të bëhet pa e rrezikuar sovranitetin e Kosovës

Bruksel, 6 mars 2023 – Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka deklaruar se marrëveshja Kosovë – Serbi e bazuar në propozimin e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për të ardhmen e të dyja vendeve.

“Unë mendoj se është një marrëveshje shumë e mirë për të dyja palët për të ecur para. Shtetet do të respektojnë në mënyrë reciproke dokumentet, simbolet kombëtare, dhe integritetin territorial. Një tjetër element shumë i rëndësishëm i kësaj marrëveshje është e drejta për vetëvendosje, kjo pikë veçanërisht është shumë e rëndësishme për Kosovën. Edhe në aspektin ekonomik parashihet që Kosova dhe Serbia të ndërveprojnë në fusha të ndryshme, dhe kjo ndihmon në normalizimin e plotë të raporteve mes palëve. Pra është progres i jashtëzakonshëm, edhe pse akoma mungon një nënshkrim nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë ai, transmeton tëvë1.

Shea ka shprehur pikëpamjet e tij edhe lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se në Evropë ka shumë modalitete për trajtimin e komuniteteve, të cilat mund të aplikohen edhe për formimin e Asociacionit, pa e rrezikuar sovranitetin e Kosovës.

“Trajtimi i komunitetit serb në Kosovë duhet të jetë bazuar në standardet evropiane. Pra, gjuha dhe kultura e tyre duhet të pranohet pa ndonjë paragjykim. Ata duhet kenë një të ardhme të sigurt në Kosovë’, ka thënë Shea.

“E di shumë mirë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një temë e ndjeshme, por ka disa modele shumë të mira në Evropë që mund merren si shembull për formimin e Asociacionit, pa rrezikuar sovranitetin e vendit”, është shprehur ai.

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se tani është çështje se si do të zbatohet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se kjo është “pjesa me e rëndësishme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  në takimin e tyre në Bruksel, më 27 shkurt, u pajtuan për një marrëveshje që synon normalizimin e raporteve mes dy vendeve, të propozuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e ardhshëm të Kurtit e Vuçiqit, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, do të shqyrtohet plani i zbatimit të marrëveshjes. Bashkimi Evropian,si ndërmjetës i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, pret që në Ohër të nënshkruhet marrëveshja mes palëve, e  cila thuhet të jetë ligjërisht obliguese për secilën. 

(r.m.)