– Është poeti Sulejman Mato që shkruan ashtu. –
Nga Visar Zhiti
Ndonjëherê mjafton dhe një varg për ta kuptuar poetin, si shkruan dhe çfarë ndjen, nga është dhe ç’gjë qiellore e ndjell, teksa te ndonjë tjetër mund të jenë të tepërta libra të tërë, ku s’kupton ç’thotë dhe si ka rënë gabimisht në grackën e poezisë si këmba e një keqbërësi…
Poeti Sulejman Mato me atë varg na vetëzbulohet, rruga e tij humbet për në jug, është një lloj kthimi i ëndërrt, pra është nga andej, ku moria e yjeve i del përpara, po ç’janë ato xixëllima si portokallet e rivierës a ullinjtë mbi një gjumë të bardhë prej deleje, se mos janë stërkala mornicash të një dashurie?…
Ka mbi 60 vjet që Sulejman Mato shkruan dhe unë shfletoj antologjinë e jetës së tij me gati 600 faqe poezi.
“Nsër do të vij” titullohet.
Dhe kjo e nesërme mua më del e djeshme. Isha nxënës në Lushnjë, ku pas baltrave nisnin fshatrat e internimeve, me një tërheqje ankthëruese dhe me një diell të madh, të kuqerremtë, që perëndonte në thellësi të shinave të trenit, që më dukej se mua nuk do më merrte kurrë e nuk shkonte asgjëkundi. Andej shëtisnim çdo pasdite dhe flisnim për librat e rinj me poezi. I lexonim të gjithë ç’dilnin. Poeti Faslli Haliti, që e kishim dhe mësues, jo të letërsisë, por të vizatimit, rrinte me ne, na ishte bërë mecenat shpirtëror dhe shok.
– E si ju duk Sulejman Mato? – na pyeti, se ishte botuar libri i tij i parë me poezi, “Shtegu i blertë”.
Liriku ynë, eseniniani Sherif Bali, më i madh nga ne, gjimnazist, por me “biografi të keqe”, e kishin shpallur “kulak” gjyshin e tij, më recitoi këto vargje, i kishte mësuar përmendësh:
Fryn veriu i vendlindjes,
solli fjalët e hardhisë:
– “Unë si ti nuk jam larguar,
po jam rritur pranë shtëpisë.”
Fryn veriu i vendlindjes,
foli gjuh’ e fletëve:
– “Ne përjetë do gjelbërojmë,
se kemi rrënjët në dhé.”…
(Faqja 15)
Ishin të Sulejman Matos, pra, duhej të ishte poet i mirë, Sherifi ynë nuk gabonte. I besoja, ndoshta nga që dhe unë se ç’kisha në biografi, “një kleçkë” siç thuhej atëhere, edhe pse s’kisha ende biografi, por im atë s’kishte qenë partizan dhe s’ishte komunist, madje kishte qenë kundër, eh, na i tregonte anash e anash e bënte humur. Pra, s’ishte ndonjë hatá siç na e bënin në shkollë. Po ja, mund të mos të të lejojnë të shkosh në shkollë të lartë si vëllezërit e tu e si Sherifi, mund të mos të të japin të drejtën e botimit, etj, etj. Ishte herët ta mendoje burgun… por kjo s’më pengoi të mēsoja poezi permendësh. Edhe vargjet e Sulejmanit dhe i di dhe sot e kësaj dite….
Fryn veriu i vendlindjes,
mora letër prej shtëpisë:
– “Unë këtej nuk do largohem,
unë s’do vij të rroj me ty…”
Fryn veriu i vendlindjes,
m’u dogj zemëra ne gji…
Lulëzim në kopësht pranvera…
– “Kthehu, djalo në shtëpi!”.
(Faqja 15)
Sa mall kishte kjo poezi! Si De Radiane. Me reflekse drithëruese mbi ujrat joniane. Dhe një thjeshtësi që më habiste…
Po edhe vetë Sulejman Mato ashtu ishte si poezia e tij. I hollë, kaçurrels, fytyrë gjatoshe, vështrim-butë, i vëmendshëm, me favoritet liberale.
E pashë kur çova poezitë e para për botim në revistën “Nëntori”, ku ishte redaktor. Më priti mirë, ngrohtë, ma hoqi shpejt druajtjen, që në fakt nuk m’u hoq kurrë. Dija të skuqesha në atë botë të paturpshme, pavarësisht se do ma përflisnin skuqjen…
Një zyrë më tej kishte qenë prozatori Faik Ballanca, që do të vriste veten. Edhe ai më kishte pritur mirë, do t’ma botonte nje tregim, po të shkurtohej, por unë nuk pranova.
Por poezitë dolën. Më lumturuan. Nja tre kishte zgjedhur Sula, njëra si uitmaniane, po ky varg mos është shtuar, që të mos kishte probleme me ata më lart? Ja, dhe një poezi për Homerin, do të ma përplasin në gjyq si hermetike dhe armiqësore, aktekspertizuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e quajtën metaforë kundër socializmit, etj, etj.
Pas Plenumit të 4-t të Partisë, (në ditar e kisha shkruar “pleh-num”), ku u dënuan vitet e ashtuquajtura të liberalizmit, por dhe poezi e poetë, u çuan libra në fabrikë të letrës për t’u ricikluar në letër të bardhe si një mendje pa kujtesë, e shpëlarë dhe u futën burgjeve shkrimtarë e artistë, Sulejman Maton e hoqën nga revista “Nentori”, Faslli Halitin tonë e çuan në një kooperativë bujqësore, punonte me shat fushave apo shkruante parrulla mureve, por nuk iu nda shpirti nga ata që e dhunuan, siç e pohon dhe poeti tjetër, edhe ai i dënuar, Sadik Bejko.
Do ta takoja dhe një herë më pas Sulejman Maton, në Kukës, para arrestimitt tim, kur unë isha mësues fshati. Ai kishte ardhur me poetin që e doja, Fatos Arapi, se do të shkonin në Kosovë, ishin të ftuar. Një shok imi, veteriner, Xhevdet Bashllari, kishte raki të mirë dhe ca mish të pjekur, që mezi gjendej, të mbështjellë me gazetë. Shkuam në hotel dhe ftuam Fatos Arapin dhe Sulejman Maton për darkë, ta pinim shishen e rakisë bashkarisht. Mrekulli, pranuan. Dhe unë thirra vrap mikun tim, që kur ishim studentë, poetin Agim Spahiu, se këto takime kështu ishin të rralla dhe ngjarje për ne. Fatos Arapi na tha që të mbylleshim në dhomën e tyre në hotel, se poshtë në restorant mund të binim në sy jo për mirë. Me të drejtë. Ata të nesërmen do të dilnin jashtë shtetit…
E kujtoj atë natë, bisedën e ngrohtë, kthe gotat e vogla të rakise, rromuze tē mëdha, Sula i përzemërt gjithnjë e më shumë, na trajtonte si të barabartë, profesor Fatosi më i kujdesshëm, i përzemërt po aq, fytyrëpastër, në gjykime shkonte më tej standartit, mund të shkonte dhe më shumë, por nuk e të pronte as në raki, e bezdiste personazhi pozitiv, etj, të nesërmen bëmë dhe foto para hotelit dhe me shoqëruesit e tyre, që do t’i çonin deri në kufi, do të rrinin aty deri sa andej nga pala jugosllave t’i shihnin që kishin ardhur me veturë, sa drithëruese dhe e mistershme ajo fjalë: kufi! Profesor Fatosi u kujdes që të bënim dhe një foto para bustit të heroinës Shote Galica, i kam ende në albumin tim të atëhershëm, por që s’e kam hapur më….
Shfletoj poezitë e antologjisë. “Nesër do të vij”. Sulejmani beson te e nesërmja dhe te poezia. E gjithë jeta e tij është aty, deti, era e jugut të tij, nëna, nëna përsëri, yjet që përzjehen me portokallet, dëshmorët dhe Prishtina, zogjtë dhe shiu i cicërimave, familja, miqtë, rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës dhe ngritja e popullit:
Në çastet e fundit m’u duk sikur më pa
Me një pamje dinake,
me një buzëqeshje cinike,
– “Dhe ti, o Brut!?” – u duk sikur më tha.
– “Po, Cesar!” – i thashë unë
me kënaqësi të përmbajtur.
(Faqja 252)
Po ca që s’përmbajnë dot pakënaqësinë? Atë emër e kanë në gjak si sëmundje të sheqerit. Vazhdoj shfletimin, avitet një si zymti, shfaqet ironia diku, prapë Kosova, Gjeneva, treni për në Milano, dritarja fërgëlluese, etj, etj, por gjithsesi poezia e Sulejman Matos mbetet po ajo, si në fillimet e saj, pa ndryshuar me ndryshimet e kohëve, të sistemeve, ka ruajtur sistemin e poezisë së tij, me thjeshtësinë e sinqertë, e qartë si dera e shtëpise në vendlindje, e tharë nga malli, me prarime hëne, pa magjepsje, pa ndikime, me rima e strofa më së shumti, me ritëm si këngët e jugut, por pa përsosjen, sikur nuk e duron dot atë, do, si të thuash, atë shtrembërim të dhembshëm të trungut hollak të hardhive, gjethnajën e ndjesive… si dallgët e njëjta në breg, pavarësisht se anijet në det janë modernizuar, krocerat e turistëve janë bërë më luksoze apo flotat e nëndetëset komandohen dhe nga Inteligjeca Artificiale. Po pulëbardhat kanë mbetur po ashtu e Itaka është poezia drejt së cilës udhëtohet, qoftë dhe pambërritshëm…
Po sjell këtu dhe imazhet e dy ballinave nga librat e shumtë të Sulejman Matos, mora nga fb i tij dhe një foto rinie, ku ai ka dalë në Sarandë me shokun e tij, poetin Viktor Qurku, që pasi e çuan në çmendinë pas atij Plenumit famëkeq të 4-t të Partisë, e helmuan mjekët me gjilpërat e Sigurimit të Shtetit, pastaj gjeta dhe një foto tjetër, kemi dalë në Ulqin, është dhe poeti nga Kosova, Prof. Agim Vinca dhe një Zonjë, që tani s’e kuptoj cila është, pranë kam poetin Pano Taçi, bashkëvuajtës imi, ka qenë partizan, por e burgosën se donte të arratisej, të shkonte në SHBA te gjyshi, ashtu i kaloi jeta, burgjeve dhe internimeve, Sulejmani ka shkruar dhe një tregim për të, ndërsa imazhi i fundit është prapë një ballinë libri i Sulejman Matos, “Kujtime të kohës me Kadarenē”, ka re a mjegull, një si pezullì dhe humnerë qiellore, shpinat e dy siluetave të dy burrave me borsalinë, nuk janë të Realizmit Socialist, njeri me bastun aristokratik në dorë, nuk më duken si protagonistë të librit, gjithmonë ëndrra për të qenë të tjerë, as rruga për në jug nuk është e zënë me yje. Dhe perifrazova titullin e antologjisë, e ktheva në pyetje dhe për veten: nesër si do të vish?…