Janjiq: Beogradi po e përdor rastin e policëve për qëllime politike

Beograd, 16 qershor 2023 – Drejtori i Forumit joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, thotë për REL-in se Beogradi po e përdor rastin e policëve të Kosovës për qëllime politike.

“Këta janë punonjës të policisë kufitare dhe, në bazë të gjithçkaje që është dëgjuar, ata kanë humbur. Meqenëse nuk ekziston një procedurë e përcaktuar, më relevante do të ishte që të dyshoheshin për kalim të paligjshëm të kufirit”, thotë Janjiq.

Sipas tij, Beogradi “keqpërdor ndjekjen penale”.

“Shohim që prokurori e cilëson [veprën] si armëmbajtje pa leje, por ata kanë pasur armë të ligjshme nga policia së cilës i përkasin”, thotë Janjiq.

Ai shton se ky rast tregon domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje të veçantë për të gjitha elementet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – me pjesëmarrjen edhe të KFOR-it dhe të misionit të BE-së në Kosovë, EULEX.

Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe, sipas saj, “i rrëmbyen” tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviq nga Policia e Kosovës, më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

(REL)