Janjiq: Në dialog duhet të përfshihen edhe serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës

Beograd, 22 korrik 2023 – Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, Dushan Janjiq, ka thënë se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë është e detyrueshme sipas së drejtës ndërkombëtare, andaj zbatimi i saj është obligim politik dhe juridik.

Janjiq ka thënë se ata që i udhëheqin negociatat nuk e kanë kuptuar ende se ky është obligim i tyre moral ndaj shoqërisë kosovare dhe ndaj Serbisë.

Ai ka thënë s “formati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është caktuar në bazë të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nuk mund të ndryshojë derisa kjo rezolutë të jetë e vlefshme”.

Janjiq ka thënë se formati i bisedimeve dypalëshe në kuadër të dialogut, me gjithë energjinë dhe kohën e humbur, është shpenzuar kaherë, dhe kjo është një nga arsyet e krizës. Sipas të tij, dialogu do të pësojë ndryshime dhe kjo shihet edhe nga përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Do të ketë një grupim temash dhe aplikimi i tryezave të rrumbullakëta ku do të dëgjohet edhe mendimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe propozimi i saj i marrëveshjes për trashëgiminë kulturore të serbëve”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, gjatë dialogut “do të duhej të bisedohej edhe me serbët e Kosovës e jo vetëm me Listën Serbe, por edhe me shqiptarët në Serbi, kurse në fund të procesit do të organizohej një konferencë ndërkombëtare”.

Janjiq ka thënë se Kosova dhe Serbia “kanë hyrë në një fazë të dominuar nga kriza e sigurisë, me elementë të militarizimit ushtarak dhe paramilitar, e cila është një gjendje krejtësisht e ndryshme krahasuar me atë kur Hashim Thaçi i udhëhiqte negociatat për palë kosovare”.

Janjiq ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se Partia Progresive Serbe e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shpallur Asociacionin si “fitore kryesore” dhe në opinion u krijuar ideja se “kjo ishte gjithçka që mund të nxirrte Serbia”.

Sipas tij, Asociacioni “nuk është mënyrë e mirë për zgjidhjen e problemit”, sepse Asociacioni nuk mund ta fitojë statusin e rajonit.

Janjiq ka folur edhe për dilemën e Serbisë që të lëvizë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian (BE) apo për të “kthyer” Kosovën nën juridiksionin e saj. Ai ka thënë se kjo “është një dilemë e sajuar që nga koha e Zoran Gjingjiqit, Boris Tadiqit dhe Vojisllav Koshtunicës”.

“Kjo dilemë është një keqpërdorim, sepse nuk mund të hyhet në BE me çështje të hapura të kufijve dhe pa të dhëna tësakta për numrin e banorëve”, është shprehur ai.

(r.m.)