Janjiq: Situata është serioze. Targat janë luftë për sovranitet

Beograd, 27 tetor 2022 – Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka reaguar pasi autoritetet e Serbisë e kanë kthyer mbrapa zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është dashur të marrë pjesë në konferencën “Dialogun diplomatik” në Beograd të organizuar nga forumi i Janjiqit.

Janjiq ka thënë se çdo gjë ishte bërë sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Serbisë për organizimin e këtij forumi, i cili ishte përgatitur që nga prilli, por ishte shtyrë për shkak të rrethanave.

“Shpjegimi zyrtar [se pse Bislimi është kthyer mbrapa 85 km para se të mbërrijë në Beograd] është se Serbia nuk mund të garantojë sigurinë e Bislimit”, ka thënë Janjiq , për gazetën “Danas”.

“Në Merdar është bërë verifikimi nëse ky takim është regjistruar”, ka thënë ai.

Janjiq ka theksuar se Forumi për Marrëdhënie Etnike asnjëherë nuk ka njoftuar askënd për tubime dhe s’ka pritur miratimin dhe se në ‘Dialogun diplomatik” janë ftuar deputetë dhe anëtarë të qeverisë, si dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se ata ishin të informuar.

“Natyrisht që zyrtari ndërlidhës për Kosovën i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në komunikim me Forumin si organizator, Qeverinë e Kosovës dhe Serbisë dhe përfaqësuesin e Lajçakut”, ka thënë Janjiq.

Ai ka thënë se pas këtij veprimi të autoriteteve serbe e ka kuptuar se “sa serioze është situata”. Sipas  tij, bëhet fjalë për “zgjidhje midis luftës dhe paqes”.

“Që të mendoj kështu, mbështetem në dy gjëra: njëra është kthimi i Besnik Bislimit, i cili duhej të ishte mysafir në Beograd. dhe tjetra, është deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë ai.

Janjiq ka përkujtuar se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në një tubim të tillë në vitin 2014 dhe ka besuar se edhe Bislimit do t’i lejohet të jetë dikush që do të krijonte kontakte me publikun.

Ai ka theksuar se ky ishte një gabim i madh i qeverisë serbe.

“Qeveria serbe nuk është e vetëdijshme për momentin dhe po nxiton në rrënim, sepse ky ishte momenti për të bërë një gjest politik dhe për të konfirmuar të gjitha fjalët e presidentit të Serbisë, i cili tha se është për paqe. Fatkeqësisht, është vërtetuar se këtu po forcohet ‘shteti i thellë’ dhe se ata që janë për luftë janë më të forte”, ka thënë ai.

Janjiq ka theksuar se lufta e targave është luftë për sovranitet për të dy shtetet.

“Targat janë luftë për sovranitet”, ka theksuar Janjiq.

Por, i pyetur se çfarë pret të ndodhë më 1 nëntor, kur skadon afati për riregjistrimin e automjeteve, Janjiq ka thënë se megjithatë nuk pret konflikt të armatosur.

“Një lëvizje marketingu ndodhi sot. Nuk do të ketë ‘Stuhi’, por duhet të kuptohet se ka rrezik”, ka thënë Janjiq.

Ai ka thënë se në barrikadat që kishin vendosur serbët në veri më 31 korrik, kur kishte skaduar afati i fundit për reciprocitetin e Prishtinës, ka pasur njerëz të uniformuar dhe jo qytetarë të thjeshtë.

(r.m.)