“Java kulturore shqiptare në SHBA” në Nju Jork

Nju Jork, 25 shtator 2022 – “Java kulturore shqiptare në SHBA” organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare (ITSHKSH) nga shkupi, të dielen (25 shtator 2022), vijoi turin e aktiviteteve prezantuese para bashkatdhetarëve tanë në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Pas meshës në gjuhën shqipe, u bë promovimi i revistës “Drita e Gonxhes – I -” si dhe veprave: “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” – S. Asani, N.Maliqi, A.Ramaj, “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” – Anton N. Berisha, “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” – Anton N. Berisha dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” – Zef Noka.

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, i shprehu mirënjohje famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Dom Dom Pjetër Popaj, edhe në emër të kolegëve të tij. Ai ia dhuroi Dom Popajt  një boçe të praruar në ar nga bredhi të cilin ajo e kishte mbjellur në Shkup Nëna Tereze, gjatë vizitës së saj të fundit, në vitin 1980.

Asani nderoi me mirënjohje edhe veprimtarët e dalluar shqiptarë në Amerikë,  Marjan Cubi dhe Mëhill Gjini, për kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin evelrave tona kombëtare, përmes ideve e projekteve konkrete.

Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork këtë të diele ishte në shërbim të dyfishtë, në shërbim të besimtarëve që kishin ardhur në meshën e rregullt të së dieles dhe në shërbim të prezantimit të veprimtarisë kulturore e shkencore të ITSHKSH.

Origjina e kësaj kishte lidhet me vet organizimin e komunitetit shqiptar katolik të Nju Jorkut, konkretisht me themelimin e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane në vitin 1962. Më 1987 dy kishat katolike shqiptare (“Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali dhe Shën Pjetri”) u shkrinë në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, kurse në vitin 1989 u themelua Famullia Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, pastori i parë i së cilës ishte dom Rrok Mirdita.

Duke qenë një simbol që shoqëroi gjithkund shqiptarët, “Zoja e Shkodrës” u bë fatpërcjellësi më besnik i tyre që nga koha e lavdishme e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Skender Asani, si historian, foli për historinë e kishës katolike shqiptare dhe për shenjtoren Zoja e Shkodrës.  

“Sipas gojdhanave, aty rreth vitit 1467, kur një ushtri e madhe otomane u dynd drejt Shkodrës, figura e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës. Gojëdhëna tregon se figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, dhe ajo sot ndodhet në Gjenacan, afër Romës. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit dhe Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtorja qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, në Gjermani, në Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, përfshirë Amerikën”, tha Asani.

“Festa e Zojës së Këshillit të Mirë kremtohet edhe në Kosovë, kurse në Letnicë, më 15 gusht, mblidhen çdo vit pelegrinë prej disa vendeve për të nderuar Zojën e Cërnagores. Epiteti Cërnagore s’ka lidhje me Malin e Zi, por me Karadakun e Shkupit (Skopska Crna Gora) prej nga, sipas legjendës, është transferuar përmes Malit të Karadakut nga Shkupinë Letnicë. Para saj u gjunjëzua edhe Nënë Tereza e prej saj mori porosinë të shtegtonte në të katër skajet e botës, për t’ua çuar fjalën e Zotit më të humburve ndër të humbur, atyre që vdisnin hendeqve të Indisë, të ngrënë nga krimbat’, tha Asani.

Ai theksoi se Zoja e Shkodrës dhe Zoja e Letnicës përcjellin mesazhin e mbijetesës shqiptare në kohë e rrethana të vështira, kur shqiptarëve u kanosej rreziku i asimilimit.

“Populli shqiptar arriti t’i përballojë këto rreziqe dhe sot mund të flasim për diemensione të reja të ripërtëritjes së botës shqiptare, përmes ideve e projekteve kulturore e shkencore. Ky është edhe koncepti i Nënë Terezes, e cila nga periferia barti dashuri dhe bamirësi dhe u bë sinonim i njeriut të vogël me shpirt të madh, që pavarësisht se vjen prej një vendi periferik, fuqia e saj e ndikimit tejkalon kufinjt nacional, fetar e racor’, theksoi Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani.

Ai tha se ITSHKSH po punon për thellimin e bashkëpunimit kulturor e shkencor me mërgatën shqiptare në Evropë, Amerikë dhe gjetiu.

(r.m.)