Uashington,8 dhjetor 2022 – Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të udhëtojë me një delegacion ndërinstitucional nga 11 deri më 17 dhjetor në Kosovë, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë.
Në një njoftim të Departamentit amerikan thuhet se kjo vizitë nënvizon përkushtimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin e rajonit.
Më 12 dhe 13 dhjetor, këshilltari Chollet do të qëndrojë në Prishtinë ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe udhëheqës të tjerë politikë për të diskutuar siç thuhet, bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet amerikane për të çuar përpara integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, përfshirë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë.
Kjo çështje do të jetë pjesë e vizitës së zotit Chollet në Beograd, ku do të diskutojë edhe për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për anëtarësim në BE si dhe rolin e saj në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale.
Më pas këshilltari Chollet do të udhëtojë në Sarajevë, për të diskutuar mbi sundimin e ligjit, reformat ekonomike, energjetike dhe të mbrojtjes, si dhe me zyrtarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.
Në Shkup ndërkaq pret diskutime për një sërë çështjesh, përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.
Më 15 dhjetor, këshilltari Chollet do të qëndrojë në Podgoricë, për të diskutuar ngërçin aktual politik, angazhimin për sigurinë rajonale dhe përparimin e vazhdueshëm të Malit të Zi drejt integrimit euro-atlantik.
Në Zagreb, ai do të përmbyllë traktatin e ndihmës juridike të ndërsjellë dhe atë të ekstradimit ndërmjet Kroacisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, siguria energjetike dhe bisedimet e lehtësuara nga blloku ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të jenë tema të diskutimit të këshilltarit Chollet partnerët evropiane gjatë vizitës në Bruksel më 16 dhe 17 dhjetor.
(Zëri i Amerikës)