Javën e ardhshme nis shqyrtimi i aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Strasburg, 22 mars 2024 – Java që vjen është e rëndësishme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare (AP) të Këshillit të Evropës (KE) ka në rend dite çështjen të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Këtë e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Këshilli i Evropës.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e Këshillit të Evropës për Telegrafin thuhet “duke iu referuar emailit tuaj, pika është në rendin e ditës të Komisionit për Çështje Politike të Asamblesë Parlamentare javën e ardhshme”.

“Pasi të miratohet nga Komisioni, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja”, bën të ditur nga Këshilli i Evropës.

Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se në rend dite është opinioni statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore (51) 30.

Raportuese është Dora Bakoyannis.

Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në një mbledhje të ekzekutivit bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë  dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit.

Ai pati njoftuar se lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve…. të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, ishte shprehur Kurti.

E lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës ditë më parë ka njoftuar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se më 27 mars në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të prezantohet raporti për Kosovën që përmban një draft-opinion.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka njoftuar se ka udhëtuar për në Paris.

“Jam rrugës për Paris, ku si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës do të diskutojmë çështje tematike të Komitetit por edhe do të kam takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

Ai ka deklaruar se këtë javë janë dy momente me rëndësi, derisa ka theksuar se për t’u votuar raporti duhen votat e 27 deputetëve.

“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës…. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

(Telegrafi)