Jemi të uritur apo kemi pasiguri ushqimore?

A kemi një siguri ushqimore në sasi e standarte të cilat janë baza e shëndetit, së pari personal, e pastaj në kuptimin ekonomik e social për kaloritë e krahut të punës, e të mendjes, si komb?

Shkruan Fatos Fico, ing.i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural, Londër

Pashai i Dukagjinit kërkoi direkt te Sulltani në Konstatinopojë, Zadrimën të ishte “Vakëf” me kushtin që do të ndërtonte tridhjetë ura në lumenjtë e Zadrimës për t’i shërbyer udhëtareve e në të mirë të shpirtit të tij. … njerëzit në Zadrimë kanë mbi 500 dokumenta të firmosur nga Sulltanë të ndryshëm për statusin vakëf që ti mbrojnë ata nga taksidarët, kaditë, vojvodët, turqit e t’i paguajnë taksë vetëm Sulltanit… urat ndërtohen e mbahen më së miri ndryshe ata bien pre e pashallarve dhe agallarve që mezi presin te gjejnë një sebep t’i sundojnë direkt” – Frang Bardhi, 1641.  Sir James Dyson, 2021 “zhvillimi i qëndrueshëm, siguria ushqimore dhe mjedisi janë baza e shëndetit dhe ekonomisë së një kombi: ka një mundësi reale për bujqësinë të ndjekë revolucionin teknologjik e anasjelltas. Lidhja midis biznesit tonë teknologjik dhe fermës do të japë përqasje të reja në qëndrueshmeri e rezultate, paralelet midis dy bizneseve janë më të medha se sa mendoni e varen nga investimi në kërkim, zhvillim e permirësim te vazhdueshëm”

Rrugë, aeroporte, porte, konçesione, PPP. Taksa direkte e indirekte.  Vakëf “modern” apo një infastrukturë e kohës për ta çuar vendin nga soc- feudalizmi i trashëguar në kapitalizëm? A kemi një siguri ushqimore në sasi e standarte të cilat janë baza e shëndetit, së pari personal, e pastaj në kuptimin ekonomik e social për kaloritë e krahut të punës, e të mendjes, si komb? Do të shikojmë nga vijmë, herë afër e herë larg.  Teoria ekonomike thotë se njerëzit bëjnë zgjedhje racionale për të maksimizuar të mirat për vete. Po a vlen kjo dhe për institucionet publike?  Roli i shtetit është gjthmonë e më i madh e kjo kërkohet gjithmonë e më shumë nga shoqeria. E ndërsa ka teori ekonomike e eksperienca a kemi mbetur ne si popull te fjalët e urta, tek historitë e opinionet? Çfarë është Cap (Common Agriculture Policy) e EU, aktivitetin bujqësor të sipërmarrësit Dyson nga UK. “Bukën përditshme falna sot” duket se nuk është lehtë dhe për vetë Perendinë, apo duhet merituar e jo falur? Aq më tepër kur tavolina tashmë nuk është vetëm familja jote por pothuaj gjithë bota?

Jemi të uritur apo kemi pasiguri ushqimore?  Pasiguria ndodh kur të ardhurat nga puna nuk janë më të mjaftueshme për një ushqim të shëndetshëm e familja bën kompromise duke ulur cilësinë e sasinë e ushqimit. Të dyja njihen në vendet e zhvilluara, ndërsa uria është e zgjidhshme me asistencë sociale e forma të bamirësisë e dyta është problematike dhe shfaqet me forcë jo vetëm gjate krizave, por në rrugën e daljes prej tyre. Në Shqipëri është më vështirë të dallosh njërën nga tjetra. Perceptimi është që njerëzit i tremb më shumë pasiguria se sa uria.  Edhe sepse në historinë tonë kanë qënë të ndërthurura, ka patur uri, sepse kërkesa ishte më madhe se oferta, ushqimet ishin me racion, por jo pasiguri, në sensin që njerëzit e dinin që sadopak ushqim do ta merrnin atë. Tani kemi pasiguri, megjithëse ushqimi nuk mungon e oferta është më madhe se kërkesa, por shumë kush e ndien veten të uritur kur duhet të bëjë kompromise me ushqimin.    

Tufëza e arëza

Në fund të viteve 8o-të e detyruar nga një krizë e thellë ushqimi, Partia e Punës lejon punën e pronën private – arëzat e tufëzat. Fshatarët mund të kultivojnë copëza toke e të mbajnë pak bagëti që vendi të mos vdesë nga uria. Në atë kohë jemi në kulmin e ekonomisë socialiste, tashmë janë bërë prej vitesh investime gjigande në industri, energji, arsim, shëndetësi, ato duhet të kishin filluar me kohë të jepnin frutet e shumë pritura. Me dhjetëra fabrika, kombinate, hekurudha, vepra energjie. Në bujqësi kemi kooperativa të tipit të lartë, ndërmarrje bujqësore shtetërore edhe më të mëdha, traktorë e zetorë, pleh kimik të vendit, të prodhuar në Fier e në Laç. Kemi kërkim shkencor, serra, kanale kulluese e vaditëse, këneta të thara. Universitet gjigand bujqësor, agronomë të lartë e teknikë të mesëm në cdo kooperativë. Nuk kishin si të mos kurorëzoheshin këto me çmimin ndërkombëtar për ushqimin që mori Shqipëria.

Ajo që është e rëndësishme është se ndryshimi ka filluar, me parë se studentët, intelektualët, punëtorët të kërkojnë pluralizëm e demokraci në sheshet e qyteteve, e me greva në fabrika, ai ka filluar në fshat. Tufëzat e arëzat “private” janë pika e kthesës në historinë shqiptare. Sistemi monist që të mbijetojë kërkon mëshirë nga fshati, puna e prona private për një copë bukë.

Tek libri “Kapital dhe Ideologji” Piketty thotë se- “letërsia ka një aftësi unike për të kapur marrëdhëniet e pushtetit e dominimit midis grupeve të ndryshme sociale…. e prandaj do t’i përdor veprat letrare për të parë e kuptuar…”.  Një shkrimtar i dashur për rregjimin si Migjeni thotë se – mjerimi është një kafshatë që nuk kapërdihet. Shqiptarët e viteve 80-të mund të jenë çdo gjë, por jo të mjerë në kuptimin migjenian. Ata kanë punë, shtëpi, arsim, shëndetësi, deri diku me standarte. Një pjesë e madhe e tyre vjen në qytetet e fshatrat e reja nga kasollet me kashtë. Padyshim për gratë ndryshimi është shumë shekullor, nuk lindin më në ara e pyje, nuk martohen patjetër me shkesi, ka kopshte, çerdhe, kane çdo të drejtë që kanë dhe burrat. Shumica e shqiptarëve nga ana intelektuale i shikojnë në atë kohë si të “mjerë” proletarët e vendeve kapitaliste sepse janë më të pasur materialisht, por jo shpirtërisht. Ata nuk njohin klasikët e letërsisë, muzikës, filmit, artit, nuk njohin historinë, madje ata j’ua mohojnë historinë e duhur vendeve të vogla e të varfra. Ata kërkojnë vetëm konsum të mallrave pa vlerë.  Në shtëpitë shqiptare të asaj kohe një shishe coca-cola bosh e vendosur në një vënd të dukshëm kishte më shumë vlerë se sa një krijim origjinal i Warhol sot.  

Shumica e shqiptarëve nuk ishin të mjerë sepse pa punë, pa kujdes shendetësor e arsimor, pa një sistem që i njeh si qënie shoqërore, klasë punëtore e fshatarësi kooperativiste, përkundrazi është sistemi ai kapitalist sipas propagandës së kohës që i flak jashtë njerëzit në çdo moment, sidomos atëhere kur ata kanë më shumë nevojë për sistemin. Shqiptarët nuk kanë pronë private, nuk kanë liri mendimi, por sistemi ju thotë jeni të lirë. Të mjerë ishin armiqtë, shumë më tepër ata të brëndshëm, se ata të jashtëm. Sepse të brëndshmit nuk i kishin mundësitë, jo të konsumonin si të jashtëmit, por të merrnin frymë lirisht si qënie njerëzore. Sistemi bënte cdo gjë në mënyrë që t’jua hiqte mundësitë për një jetesë normale, i burgoste, internonte, si dhe përjashtimi social. Ky i fundit në një vend me mentalitet të fortë grupi e përkatësie, ishte ndoshta dënimi më i madh edhe sepse shtrihej jo vetëm direkt tek personi, po në të gjithë grupin/fisin që i përkiste këtij armiku. Nqs në kulturën shqiptare individi jeton në sajë të grupit ky ishte dënimi më i madh sepse i hiqte përkrahjen e tij, pra sigurinë.

 Në fundvitet e Shqipërisë socialiste kafshata që nuk kapërdihej ishte uria.

Shtëpinë e përditshme falma sot

Maslow na ka dhënë një piramidë hierarkike të nevojave humane ku të parat janë nevojat fiziologjike si ushqimi, strehimi. Sistemi i sotëm në Shqipëri funksionon për një pjesë, arrin t’i nxjerrë njerëzit nga mjerimi, sidomos të sigurojë pronë e kapital, psh privatizimi i ekonomisë, banesave, e tokës, e për t’i ngjitur në piramidën sociale. E madje e për pjesën tjetër ligji për strehimin social (22/2018) përcakton se çdo ndërtues, për ndërtime mbi 2000 metra katrorë, ka detyrimin e dhënies pa shpërblim të minimumi 3% të sipërfaqes që ndërton, për banesa sociale. Me ndërtimet aktuale janë potencialisht rreth 1000 apartamente me 70m2 vetëm në Tiranë në të cilat mund të strehohen njerëz në nevojë.

Në Shqipërinë e sotme mund të kesh shtëpi, mund të kesh makinë e depozitë në bankë por kjo nuk do të thotë se nuk je i uritur, ose po shkon drejt urisë. Si rrufe në qiell të hapur ishte së fundmi shprehja e një ambasadori të rëndësishëm, e cila rezonoi fort me të kaluarën “… bar do të hamë… “. Shqiptarët në përgjithësi nuk kanë marrëdhënie të mira me ambasadorët ndoshta edhe sepse Shqipëria si shtet sovran gjenezën e ka në ndarjen e trojeve në Konferencën e Ambasadoreve në Londër në 1912, sipas ATSH.

Në fakt nuk është aq qiell i hapur, “vetëm 6 ditë bukë”, operacioni Pelikan, operacioni Alba i 97’s, firmat piramidale, tërmetet, pandemia, kriza energjitike, rritja e çmimit të ushqimeve, emigrimi por dhe migrimi drejt Shqipërisë. Teatri i trojeve shqiptare, është i mbushur me skena e histori ku kërkohet e gjendet rregullisht një “deus ex machina” për të shmangur urinë.     

Shqiptarët jetojnë sot shumica në “kulla” në qytete, jo ato me gurë, por me beton, e kjo nuk do të thotë se legjenda nuk vazhdon.  Sepse një pjesë e madhe dhe pse me shtëpi nuk ndihen të sigurtë. Jo vetëm sepse ka pasiguri ushqimore. Çdo ndërtim i ri pa kriter i heq vlerën ndërtimeve ekzistuese, shumica e tyre të reja dhe ato. Popullësia në rënie, rritja e ulët ekonomike, jo vetëm do t’a shfryjnë shpejtë flluckën e kullave po mbi të gjitha shtëpitë nga investim do të kthehen vetëm në banim, pra në një kosto fikse të një jetese ku kapitali yt pakësohet si dhe ku e ke të vështirë të marresh kredi apo të rishesësh shtëpinë për konsum a nevoja të tjera ath kur nuk mund të punosh më.

 Sipas Bankës Botërore një treta e njerëzve kanë të ardhura nën 5.5 USD në ditë i cili është niveli i varfërisë. Sipas Instat familjet shqiptare harxhojnë mbi 40% të të ardhurave për ushqim. Familjet e varfëra që kanë një strehë të tyrë, pse munden harxhojnë edhe më shumë per ushqim. Shpenzim kryesor për ushqim nga familjet e gjejmë vetëm në mesjetë.

“Pabuks” si shkalla e fundit ne piramidë

Arëzat e tufëzat ishin një pikë kthese për sistemin monolit socialist. Ath kur bujqit mbasi të punonin për shtetin ju kërkua të punonin privatisht jo për veten e tyre por prapë për sistemin. Uria ishte pika e kthesës.  A janë arëzat e tufëzat e sotme “bangladeshasit” që duhet të vijnë në Shqipëri për të punuar apo shqiptarët që nuk duan të punojnë me rroga të ulëta?  Në terma praktikë emigranti me rrogë më të vogël do të paguajë taksa e sigurime shoqërore për shqiptarin që mbetet pa punë? Përgjigja në vendet e zhvilluara është investimi në njohuri, teknologji, ulja e kostove të tjera jo të punës për konkurencë në tregje nderkombetare, rritja e të ardhurave e pse jo çmime më të larta për tregun vendas. A ka dalë jashtë kohës me teori të reja ekonomike Fordi i cili dyfishoi pagat për punonjësit apo po kthehemi në një epokë përpara Fordit. Ajo që konstatohet lehtë është se puna, kapitali i ndërtuar me punë e dije, tregu i lirë, sipërmarrja, sistemi demokratik, nuk kanë paguar e nuk paguajnë ende në Shqipëri.

Shprehja “pabuks” është mjaft e përhapur në mediat sociale kur njerëzit duan të abuzojnë me njëri tjetrin. E rimerr dhe qeveria kur thotë se nuk vdes njeri për bukë në vend, madje thonë asnjëherë edhe më parë në gjithë historinë e vendit nuk ka vdekur njeri nga uria. Stigma kërkon të jetë shumë më e fortë se uria, por stigma nuk bën asgjë që t’a zgjidhë urinë, e nqs uria është një problem i përkohshëm ose struktural ajo e kthen atë në një problem social, në një pikë kthese.   

A duhet përsëritur që në vend nuk ka një pagë të bazuar mbi minimumin jetik. Që edhe pse ka një pagë minimale, jo jetike, shumë kompani private j’ua marrin mbrapsht një pjesë të pagesës punonjësve të tyre? – sipas mediave sociale kjo.

Ka shumë teori e praktika ekonomike e sociale mbi të cilat vendet mund të zhvillohen e nga “mjerimi” të shkojnë në prosperitet. Për fat të mirë qeveritë në Shqipëri, për meritë të tyre apo këshilltarëve të tyrë po i zbatojnë ato që nuk të çojnë me shpejtësi drejt urisë. Ka qëndrueshmëri makroekonomike borxhi duket ende i menaxhueshëm. Por, nuk zbatojnë ende ato që të shpien drejt prosperitetit e zhvillimit. Sistemi ka vepruar në vendet skandinave me mirëqenie të gjerë Jo vetëm sistemi, por dhe mënyra si organizohet një sistem të shpie nga mjerimi në prosperitet ose nga mjerimi në uri. Nqs në mënyrë klasike duam të mendojmë një sistem që ruan dominimin e nje shtrese kundrejt të tjerave e i mban të mban të uritur, ata janë skllavopronaria, feudalizmi, e në kohët e sotme diktaturat, në të cilat një dogmë, edhe në formë oligarkësh që mendojnë e veprojnë njëlloj, është në pushtet. Teoritë revulocionare e shikojnë ndryshimin në këto sisteme me “luftë”, por ishte mungesa e punës, ushqimit, e tregut që sollen ndryshimet. Murtaja e epidemitë e mesjetës e ulën numrin e popullsise e krahët e punës, bujqit mund të lëviznin të lirë atje ku paguheshin më shumë, e madje të bëheshin vetë pronarë.

Në mes te piramidës

Së fundmi, Kina ka filluar politikën drejt “prosperitetit të përbashkët”, nuk e konsideron më rritjen ekonomike, eksportet, ndërtimet, apo të tjera të ngjashme si qëllim në vetvete, por si synim ka rritjen e mirëqënies së popullsisë, ruajtjen e zgjerimin e një shtresë të mesme.  “Nuk është që do duhet të ja u marrim të pasurve paratë, thotë një kompani e madhe kineze, – lidhur me këtë, është ristrukturimi i shoqërisë dhe të ndërtojmë një shtresë të mesme. Ne jemi një kompani e lidhur me konsumin, pra më e mirë për ne në fund të ditës, kjo politikë e qeverisë (e cila krijon më shumë konsumatorë)”

Nga pikëpamja demokratike kritikët thonë ky është më shumë kontroll nga shteti kinez kundrejt bizneseve e shoqërisë. Kinezët e mbijetuar nga uria masive, revolucioni kulturor e hapat gjigande për t’ia kaluar ne fillim BRSS e tani USA, sipas Partisë së tyre kanë pak për t’u ankuar. Shqiptarët nuk kanë si t’a dinë urinë e Kinës në të shkuarën, e as të tyren. Nuk ishte publike. Në vitet 60-të Kina blinte grurë me flori në Kanada, jo për vete, por për t’a dërguar në Shqipëri e vende të tjera në Afrikë. Ishte Mao, ai që e shpëtoi Shqipërinë nga uria pas prishjes me BS.  

  Përtej kopshtijeve tona

Pamë deri tani gjëra që duken të largëta por ende janë të forta lidhjet më të shkuarën e cila na tërheq. Megjithëse krijuam punë e fabrika nuk krijuam dot mentalitet e klimë të punës, menduam se ikëm nga mjerimi u futëm në uri, ndërruam miqtë por e bëmë për të na zgjidhur problemet që i krijuam vetë, përgjatë socializmit. Kjo nuk është letërsi. Ose është aq letërsi e histori sa për të kuptuar më thjeshtë shoqërinë e cila ndërton institucionet ekonomike dhe tregun. Nuk do të shikojmë të gjithë tregun por atë pjesë e cila lidhet me ushqimin. Folëm për Kinën jo sepse duhet te rikthehemi tek ish miqtë por sepse Kina po krijon me shpejtësi shtresën e mesme, e cila ende mungon në Shqipëri. Por, shtresa e mesme në Kinë për shkak të numrave e konsumit në rritje ndryshon ekonominë botërore e sado periferike e të vegjël dhe ne do të ndikohemi si blerës ose ofrues. Rruga jonë është e nuk ka si të jetë tjetër vetëm drejt EU. Sipas politikës shqiptare ne nuk futemi dot në EU aktualisht sepse ata kanë problemet e tyre të brendshme, e çfarë duhet të bëjmë? Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) e EU është një politikë e cila prej 60 vjetësh e ka zgjidhur jo vetëm urinë, por sigurinë ushqimore në atë që ushqim ka gjithmonë në vendet e EU, me çmim të arsyeshëm pavarësisht nga moti apo çfarë ndodh në Kinë e kudo. Siguri në standarte, në atë që ushqimi është cilësor. Siguri e mbrojtje sociale për fermerët vetë. Sigurisht dhe natyra e mjedisi janë të mbrojtur. Madje tani fokusi është në ndryshimet klimatike.

Liqenet me qumësht, e verë, kodrat me djath, etj. nga superprodhimi ishin ato me të cilat EU luftonte t’i zbraste e t’i sheshonte kur Shqipëria vuante për bukë, e ju fut arëzave. E pikërisht në atë kohë Shqipëria eksportonte ushqime në tregje të mbingopura ndërkombëtare sepse më shumë vlente ajo pak valutë e propaganda që ne eksportojmë se uria e popullit. Ndoshta po të mos eksportonin ushqime atëhere dhe të kishte ushqim mjaftueshëm sot do të ishim si Kina duke krijuar një shtresë të mesme?  

Po të përafrojmë nje shprehje, ushqimi në Europë e në rajon ka nevojë për Shqipërinë, por më shumë kemi ne nevojë për ushqim të trupit e të mendjes.     

vazhdon…        

Titulli i redaksisë. Titulli i origjinalit: *CAP e Dyson