Bruksel, 17 gusht 2022 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot (e mërkurë) në Bruksel do të presë në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi me Vuçiqin do të nisë në ora 15:30, ndërsa takimi me Kurtin do të nisë në ora 17:00.
Sipas agjendës, pas secilit takim do të ketë konferencë për media.
“Sekretari i përgjithshëm dhe z. Kurti do të mbajnë konferencë të përbashkët në selinë e NATO-s, pas takimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të aleancës.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të NATO-s, Albin Kurti nuk emërtohet si Kryeministër i Kosovës, për shkak se disa vende anëtare të NATO-s nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takohet me z. Albin Kurti nga Kosova”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Vuçiqi emërtohet President i Serbisë.
“Sekretari i NATO-s takohet me Presidentin e Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.
Takimet e sekretarit Stoltenberg me Kurtin e Vuçiqin realizohen pas tensioneve mes Kosovës e Serbisë, të nxitura nga Beogradi për shkak të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targale ilegale të lëshuara nga Serbia me targa të Kosovës dhe për reciprocitet në qarkullimin me letërnjoftime.
Qeveria e Kosovës e shtyu vendimin deri më 1 shtator, pas kërkesës nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Të enjten, një ditë pas takimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq do të kenë një takim të përbashkët me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Paraprakisht, Kurti e Vuçiq do të kenë takime të veçanta medy zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Sipas agjendës së shpërndarë nga BE-ja, bisedimet do të fokusohen në avancimin e procesit të dialogut për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
(r.m.)