Tiranë, 6 korrik 2023 – Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi njoftoi dorëheqjen e parevokueshme pak muaj pas rikthimit të tij në detyrë.
Në shkurt të këtij vitit, Ardian Koçi u pushua nga puna pas një interviste për Zërin e Amerikës lidhur me turizmin natyror në Shqipëri dhe si shkak sipas Agjencisë ishte mos-marrja e lejes tek eprorët për intervistën.
Agjencia e anuloi urdhërin pas ndërhyrjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga e cila varet dhe vetëm pak ditë më pas dhe zoti Koçi u rikthye në detyrë duke tërhequr një padi që kishte depozituar në gjykatën civile të Lushnjës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook mbrëmjen e së mërkurës zoti Koçi thotë se “pas riemërimit në mars, ndodhi ajo që nuk mendoja, duke më detyruar të jap doreheqjen, e cila sipas tij nuk është një dorëheqje normale, por një “dorëheqje e imponuar”.
“Personaliteti dhe profesionalizmi im nuk më lejon të punoj në këto kushte”, thotë zoti Koçi duke publikuar edhe letrën e dorëheqjes drejtuar drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi.
Në letër zoti Koçi përmend “mungesën e komunikimit “ me drejtoreshën e Përgjithshme, Daniel Pirushi dhe “ mungesën e kushteve normale për vazhdimin e ushtrimit të detyrës” dhe rendit disa nga arsyet e kësaj situate.
Sipas tij “stafi i Parkut është i paplotësuar, emërimet janë bërë pa marrë mendimin e parkut dhe janë bërë emërime të punonjësve larg zonave të mbrojtura dhe që nuk mund të kryejnë detyrat”.
Zoti Koçi flet edhe për vështirësi konkrete si “vonesa në zgjidhjen e problemeve që paraqiten, mungesë e theksuar të karburantit për mjetet, që nuk lejojnë kryejen e detyrave, mungesë uniformash”, etj.
Deri në publikimin e këtij shkrimi as Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe as Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigjën interesimit të Zërit të Amerikës për një reagim mbi dorëheqjen e zotit Koçi dhe pretendimet e tij.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, me rreth 22 mijë ha, është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit pasi ka përqëndrimin më të lartë të shpendëve ujorë me rreth 51 mijë individë ndërsa 89 specie të ndryshme i përkasin kategorive shumë të rrezikuara.
Tendenca e ndërtimeve, presioni turistik, por edhe zhvillimi i serave bujqësore pa kriter, përbëjnë një kërcënim për zonën natyrore të Parkut
(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)