Uashington, 23 korrik 2024 – Drejtorja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle njoftoi dorëheqje nga kjo pozitë, 10 ditë pas atentatit ndaj ish-Presidentit Donald Trump, që nxorri në pah dështime të shumta në reagimin e agjencisë ndaj autorit të sulmit.
Zonja Cheatle e bëri të ditur largimin e saj nga detyra përmes një mesazhi dërguar punonjësve të shërbimit.
Pas përpjekjes për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump pati reagime në rritje ndaj dështimit të agjencisë e cila siguron mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve.
Zonja Cheatle, e cila shërbente në detyrën e drejtores së Shërbimit Sekret që nga gushti 2022, u përball me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen, si dhe disa procese hetimore për rrethanat se si autori i atentatit arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president në një tubim elektoral në Pensilvani.
“Marr përgjegjësinë e plotë për dështimet e sigurisë”, tha ajo në email-in drejtuar personelit të martën. “Në dritën e ngjarjeve të fundit, me zemër të rënduar kam marrë vendimin e vështirë për të dhënë dorëheqjen si drejtorja juaj”.
Dorëheqja e zonjës Cheatle vjen një ditë pasi ajo u paraqit përpara një komisioni të Kongresit dhe u kritikua me orë të tëra nga ligjvënës demokratë dhe republikanë për dështimet e sigurisë. Ajo e quajti përpjekjen për ta vrarë ish-presidentin Trump “dështimin më të rëndësishëm operacional” të Shërbimit Sekret në dekada dhe tha se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e sigurisë. Ajo megjithatë shkaktoi zemëratën e ligjvënësve duke mos iu përgjigjur pyetjeve konkrete në lidhje me hetimin.
Në seancën dëgjimore të hënën, zonja Cheatle vazhdoi në mënyrë sfiduese të deklarojë se ajo ishte “personi i duhur” për të udhëhequr Shërbimin Sekret, edhe pse tha se mbante përgjegjësi të plotë për dështimet e sigurisë. Kur ligjvënësja republikane Nancy Mace i sugjeroi zonjës Cheatle të fillonte të hartonte letrën e saj të dorëheqjes, zonja Cheatle iu përgjigj: “Jo, faleminderit”.
Atentatori 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti të afrohej në një distancë prej 135 metrash pranë podiumit ku ish-presidenti Trump po mbante fjalimin dhe hapi zjarr. Kjo ndodhi megjithëse në ditët pararendëse ishin shtuar masat e sigurisë, për shkak të një kërcënimi nga Irani ndaj jetës së ish-presidentit.
(Zëri i Amerikës)