Jep dorëheqje kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala

Tiranë, 5 qershor 2024 – Kryetarja e komanduar e Bashkisë Himarë, Blerina Bala, ka dhënë dorëheqjen mëngjesin e kësaj të mërkure, raportoi Euroneës Albania.

“… sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë”, ka shkruar zonja Bala, në deklaratën e dorëheqjes drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak  dhe qytetarëve të Himarës.

Ajo ka thënë se ajo ka dhënë dorëheqje për çështje personale, të cilat “kërkojnë kohën dhe vëmendjen e plotë” të saj dhe ia pamundësojnë drejtimin e bashkisë.

“Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua. Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtune dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje. Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmëndjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë”, ka shkruar ajo.

Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar e bashkisë më 29 mars me vendim të Këshillit Bashkiak. Ajo zëvendësoi në këtë post kryetarin në detyrë, Jorgo Goro, i cili u dorëhoq pas arrestimit nga SPAK si i dyshuar për tjetërsimin e pronave në bregdet. Ndërkaq, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, gjendet në burg prej 12 majit të vitit 2023, si I dyshuar për blerje të votave.

Me dorëheqjen e Blerina Balës, Himara, mbetet sërish pa drejtues, ndërsa sipas ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, do të jetë Këshilli Bashkiak i Himarës që do të mblidhet për të votuar dhe komanduar një tjetër kryetar deri sa të mbahen zgjedhjet.

Letra e plotë e doirëheqjes e Blerina Balës:

Të nderuar banorë të Himarës!

Të nderuar anëtar të Këshillit Bashkiak Himarë!

Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.

Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtune dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.

Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmëndjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.

Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.

Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.

Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku.

Me respekt, Blerina Bala!

(r.m.)