Uashington, 19 tetor 2021 – Colin Powell, sekretari i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësi i lartë i ushtrisë amerikane, vdiq të hënën në moshën 84 vjeçare pas ndërlikimeve të shkaktuara nga COVID-19. Familja e tij njoftoi përmes një deklarate në Facebook se ai ishte i vaksinuar plotësisht. “Kemi humbur një bashkëshort, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm”, thuhet në postim.
Colin Powell ishte gjeneral i respektuar i ushtrisë, burrështetas dhe një nga figurat krysore të komunitetit afrikano-amerikan.
Ai shërbeu si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare nën administratën e Presidentit Ronald Reagan, Shef i Shtabit të Përgjithshëm nën Presidentin George H.W. Bush… dhe Sekretar i Shtetit nën Presidentin George W. Bush, i pari afrikano-amerikan që shërben në dy postet e fundit.
“Po qëndroja në zyrën time dhe një nga anëtarët e lartë hyri dhe mbylli derën, duke më thënë: “ Duhet t’ju pyes për diçka, ka mëdyshje mes personelit“. Unë i thashë: “Çfarë nuk shkon?’ Ai tha,’Si mund t’ju quajmë, gjeneral apo z. Sekretar? I thashë, keni leje të më quani zoti Sekretar. Tani çlirohu!”, tregonte zoti Powell në shtator të vitit 2014’
“Vdekja e Colin Powell-it shënon fundin e një epoke. Ai ishte shembull i cilësive dhe arritjeve të mëdha të afrikano-amerikanëve në forcat e armatosura të kombit tonë dhe në disa mënyra, ndoshta edhe hapi rrugën për presidencën e Obamës”, tha Michael O’Hanlon nga Instituti Brookins.
Më 1996, zoti Powell besohej se mund të bëhej presidenti i parë afrikano-amerikan, por gruaja e tij e ishte kundër vënies së kandidaturës nga frika e ndonjë atentati nga ekstremistët për ta vrarë.
Kur demokrati Barack Obama vuri kandidaturën vite më vonë, republikani i moderuar, u largua nga partia e tij për ta mbështetur atë.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, Sekretari i parë afrikano-amerikan i Mbrojtjes, e cilësoi zotin Powell një këshilltar dhe mik të jashtëzakonshëm.
“Ai gjithmonë gjente kohë për mua. Edhe për çështje të vështira ai kishte këshilla të mrekullueshme. Sigurisht që do të na mungojë. Ndjej se kam një boshllëk në zemër”, tha ai.
I plagosur dy herë si ushtar i ri në Vietnam, lufta formësoi pikëpamjet e tij se kur dhe si presidentët duhet të përdorin forcat e armatosura.
“Besoj se përvoja e Sekretarit Powell si ushtar e bëri atë një diplomat kaq të jashtëzakonshëm. Ai e dinte se lufta dhe veprimet ushtarake gjithmonë duhet të jenë zgjidhja e fundit”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Zoti Powell mori vlerësime të larta për forcën e përdorur në Luftën e Gjirit, duke larguar forcat e Irakut nga Kuvajti më 1991.
Por zëra të tjerë kritikuan paraqitjen e tij kontroverse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në shkurt 2003. Zoti Powell ndërsa fliste për pushtimin e Irakut gjatë administratës së George W. Bushit, fliste për armët irakiane të shkatërrimit në masë, që nuk u gjetën kurrë.
“Faktet mbi sjelljet e Irakut tregojnë se Saddam Hussein dhe regjimi i tij nuk kanë bërë asnjë përpjekje për çarmatosje, siç kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare”, kishte deklaruar zoti Powell më 5 shkurt 2003.
“Ky është ndoshta gabimi kryesor në karrierën e tij, që në të vërtetë nuk ishte vetëm gabim i tij. Ishte i gjithë komuniteti i zbulimit. Unë mendoj se 12 nga 13 agjenci të zbulimit thanë, ‘Iraku ka armë të shkatërrimit në masë‘, ai analizoi këtë dhe u pajtua. Të gjithë ishin gabim”, tha John Isaacs nga Qendra për Kontrollin dhe Mos-Përhapjen e Armëve.
Vetë zoti Powell më vonë e quajti paraqitjen në OKB një njollë të karrierës së tij. Sot, republikanët dhe demokratët e vlerësojnë atë si njeri dhe patriot të madh.
(Zëri i Amerikës)