Joe Biden e ka pranuar se ai ka një lidhje të veçantë me Kosovën

Presidenti i Shtete të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se Kosova “do të ketë vend të posaçëm” në familjen e tij.

Biden e ka thënë këtë në shkurt të vitit 2021, në një urim dërguar ushtrueses së atëhershme të detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për Ditën e Pavarësisë së Kosovë.

Joe Biden dhe familja e tij kanë një lidhje të fortë emocionale me Kosovën qyshkur djali i tij i ndjerë, Beau Biden, ka shërbyer në Kosovë, si zyrtar i administrates së përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. 

“Kosova vazhdon të ketë një vend të posaçëm për familjen Biden, për nder të kohës që djali ynë i ndjerë, Beau Biden, kaloi duke punuar për të siguruar paqe, drejtësi dhe sundim të ligjit për të gjithë popullin e Kosovës”, shkruante Biden në letrën e urimit.

Kosova e ka vlerësuar kontributin e Beau Bidenit për themelimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Në shenjë mirënjohjeje, në vitin 2016, rruga Ferizaj – Gjilan është emërtuar “Beau Biden”. Joe Biden, atëherë nënpresident i Shteve të Bashkuara, bashkë me gjithë familjen e tij, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të obeliskut kushtuar djalit të tij, Beau Biden, i cili ka vdekur në vitin 2015 nga kanceri në tru.

Por, mbështetja e Joe Bidenit për Kosovën kishte nisur më herët, kur ai ishte senator.

Në tetor të vitit 1998, ai dhe senatorë të tjerë, kanë shprehur mbështetje për veprimet ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, për të parandalur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Biden ka thënë se sulmet ajrore ndaj objektivave ushtarake e policore të Serbisë “janë në interes të sigurisë së SHBA-së”.

Ai ka thënë se Serbia po e kërcënonte besueshmërinë e NATO-s dhe ka paralajmëruar se “vala masive e refugjatëve [kosovarë] do t’i destabilizojë demokracitë e brishta në Maqedoni dhe në Shqipëri”.

“Interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara kërcënohen drejtpërdrejt nga veprimet e vazhdueshme agresive të Qeverisë jugosllave në Kosovë”, ka thënë Biden, më 22 mars 1999.

Në një deklaratë të transmetuar nga Zëri i Amerikës, Biden ka thënë se puna e tij për t’u dhënë fund luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë ishte “një nga momentet më krenare” të karrierës së tij të gjatë politike.

Në një shkrim autorial për gazetën Washington Times, në vitin 2004, kur ishte senator, Biden ka thënë se Kosova duhet të bëhej shtet i pavarur.

“Asnjë vëzhgues serioz nuk beson se Kosova – ndonjëherë në të ardhmen – do të udhëhiqet nga Beogradi”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se çësthja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhej pa vonesë.

“Zgjidhja e statusit të Kosovës nuk bën të zhagitet për kohë të gjatë”, ka theksuar ai.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë, më 17 shkurtt 2008, Biden ishte ndër autoritetet e para në SHBA që e përshëndetën këtëakt  dhe u bëri thirrje kolegëve të tij që të shprehnin “mbështetjen e Senatit” për shtetin e pavarur të Kosovës.

Në mars të atij viti, në një fjalim në Senat, si kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, bëri një paralajmërim për Serbinë. 

“Çdo përpjekje e Beogradit për të nxitur kaos në veriun e Kosovës apo në Republikën Sërpska të Bosnjës e Hercegovinës, duhet të trajtohet me shpejtësi dhe me vendosmëri nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja”.

Në vitin 2009, vetëm pas katër muajsh në postin e nënpresidentit amerikan, gjatë vizitës në Kosovë, Biden theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme.

“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Biden më 21 maj, 2009, në Prishtinë.

Në korrik të vitit 2021, gjashtë muaj pasi e kishte marrë detyrën e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden e pranoi Medalje Presidenciale për djalin e tij të ndjerë, Beau Biden, të akurduar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Duke e falënderuar presidenten Osmani përmes një video-mesazhi, Biden u zotua se SHBA-ja do të mbetet “partnere e palëkundur” e Kosovës.

Joe Biden ka deklaruar disa here mbështetjen e SHBA-së për procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Por, ai ka theksuar se ky process duhet të përmbyllet me njohjen e të dyja shteteve nga njëri-tjetri.

(Pjesë të këtij shkrimi janë marrë nga Radio Evropa e Lirë)