Joe Biden uron shqiptarët në 101-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri (VIDEO)

Tiranë, 28 korrik 2023 – Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë sot 101 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ambasada amerikane në Tiranë përcolli sot një video-mesazh urimi nga Presidenti Joe Biden drejtuar gjithë popillit shqiptar.

“Mbarë popullit shqiptar, ia përcjell urimet e mia më të përzemërta dhe miqësinë jetëgjatë të Shteteve të Bashkuara.

Kur Shtetet e Bashkuara e mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme midis popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë të cilat nuk u thyen kurrë, edhe kur populli i Shqipërisë i qëndroi dekadave në diktaturë.

Uroj që dy kombet tona të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjthçka që kemi arritur së bashku dhe të afrojnë një të ardhme më të ndritshme dhe më shpresëdhënëse për fëmijët tanë”, thuhet në video-mesazhin e Presidentit Biden.

Mesazhi i tij shoqërohet me dokumente arkivore e fotografi të momenteve të veçanta në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Ambasada amerikane në Tiranë kujton se marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës u vendosën më 28 korrik 1922, menjëherë pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris. Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson, e mbrojti fuqishëm pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë, e cila rrezikohej të copëtohej nga vendet fqinje.

“Sot shënohet 101 vjetori i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Lidhjet zyrtare diplomatike midis vendeve tona filluan më 28 korrik 1922, menjëherë pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku Presidenti i SHBA Wilson qëndroi pranë popullit shqiptar për pavarësinë dhe sovranitetin tuaj. Vitin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, ne festuam miqësinë e ngushtë mes dy kombeve tona, duke theksuar aleancën e fortë strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Presidenti i SHBA Joe Biden dërgoi një mesazh të veçantë shprese për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për një të ardhme edhe më të ndritshme për popullin shqiptar. Ja edhe shumë vite të tjera miqësie dhe bashkëpunimi”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

 

(r.m.)