John Bolton tregon historinë e idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë

Uashington, 10 janar 2023 – John Bolton, i cili shërbeu si këshilltar për Siguri Kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, në një intervistë online me Foreign Press Association, ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bolton ka thënë se nuk ishte ai që kishte propozuar shkëmbim territoresh, pasi, siç është shprehur, një gjë e tillë tashmë ishte diskutuar.

Sipas tij, shkëmbimi i territoreve ishte vlerësuar si opsion i pamundur nga të dyja palët.

“Në aspektin politik është dëshmuar si diçka e pamundur, fillimisht në Kosovë dhe më vonë edhe në Serbi”, ka thënë ai.

Bolton ka folur edhe për momentin kur ish-kryeministri britanik, Tony Blair, kishte kërkuar të takohej me të, për të diskutuar për këtë ide, e cila tashmë ishte në qarkullim. Ai ka thënë se në takim me Blairin e kishte cituar ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, James Baker, që, duke folur për konfliktin arabo-izraelit, kishte thënë: “Nuk mund ta duam paqen më shumë se vetë palët e përfshira”.

“Pra asnjë zgjedhje nuk do t’u imponohej palëve (Kosovës dhe Serbisë), por nëse ata pajtoheshin, do ta mbështesnim”, ka thënë Bolton.

Sipas tij, megjithatë në fillim ka pasur njëfarë “dakordance” për shkëmbim territoresh.

“Shumë njerëzve nuk u pëlqen ideja e shkëmbimit të territoreve sepse mund të destabilizojë pjesët tjera të Ballkanit. Pika kyçe që duhet theksuar se ka pasur një lloj dakordance paraprake kur filloi të flitej për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Bolton ka thënë se, parimisht, shkëmbimet e territoreve mund të pranohen si zgjidhje, nëse pajtohen të dyja palët.

“Derisa të dyja palët pajtohen dhe nuk ka imponim me forcë, shkëmbimet e territoreve mund të ndodhin çdo herë”, është shprehur ai.

Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur pikëpamjet e tij lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe për krizat tjera me karakter global ose rajonal.

(r.m.)