John Kerry niset drejt Kinës për të diskutuar rreth klimës

Uashington, 14 prill 2021 – I dërguari amerikan për klimën John Kerry, do të niset drejt Kinës më 14 prill, për të promovuar synime më ambicioze për klimën, para një samiti virtual, të cilin do ta drejtojë presidenti amerikan Joe Biden, javën e ardhshme.

Synimet e Kerryt janë për “të diskutuar rritjen e ambicieve për klimën globale”, para samitit të Bidenit për klimën më 22-23 prill, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate.

Aty është thënë se Kerry, mes tjerash, do të diskutojë edhe rreth përgatitjeve për konferencën e 26-të të Kombeve të Bashkuara për klimën, që mbahet në nëntor të këtij viti në Glasgow.

Bashkëpunimi i Kinës është “absolutisht kritik”, në luftim të krizave klimatike, ka thënë Kerry për kanalin CNN.

“Po, ne kemi mospajtime të thella me Kinën në disa çështje, absolutisht. Mirëpo klima duhet të ndahet”, ka thënë Kerry.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përplasur për çështje tregtare dhe të drejta të njeriut, tash e një kohë.

Kina zë vendin e parë në botë për emetime të karbonit nga djegia e naftës dhe thëngjillit, Shtetet e Bashkuara janë të dytat.

(REL)