Bruksel, 10 shkurt 2022 – Kryeminsitri britanik Boris Johnson u takua në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për krizën mes Ukrainës dhe Rusisë, të cilën zoti Johnson e quajti si momentin më të rrezikshëm për sigurinë evropiane në dekada. Udhëheqësi i NATO-s e paralajmëroi Rusinë se nëse zgjedh rrugën e forcës vendi do të ketë kosto të madhe.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca është e gatshme të bisedojë me Rusinë për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, ndërsa tensionet nga frika e pushtimit rus të Ukrainës shtohen.
Por zoti Stoltenberg theksoi se parimet bazë të aleancës veri-atlantike janë të panegociueshme.
“NATO nuk do të bëjë kompromis për parimet themelore – e drejta e çdo vendi që të zgjedhë rrugën e vet dhe e drejta e NATO-s për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha zoti Stotlenberg nga Brukseli, në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Zoti Johnson u takua me zotin Stoltenberg para se të shkonte në Poloni, për të vizituar trupat britanike të dislokuara në këtë vend.
Takimi i tyre vjen ndërsa mijëra trupa ruse po zhvillojnë manovra ushtarake në Bjellorusi, në kuadër të shtimit të pranisë ushtarake ruse pranë kufijve të Ukrainës, që ka ngjallur frikë për një pushtim të mundshëm.
Zoti Stoltenberg tha se javën që vjen NATO do të mblidhet për të vlerësuar mundësinë e forcimit të mëtejshëm të sigurisë së aleancës.
“Kjo përfshin mundësinë e shtimit të pranisë ushtarake në pjesën juglindore të aleancës sonë. Agresioni i ri rus do të çojë në shtim të pranisë së NATO-s, jo pakësim”, tha zoti Stoltenberg.
Nga ana e tij zoti Johnson theksoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për sigurinë evropiane.
“Përkushtimi i Mbretësisë së Bashkuar për sigurinë evropiane është i pakushtëzuar dhe i pandryshueshëm. Ne kemi buxhetin më të madh të mbrojtjes në Evropë dhe të dytin më të madh në NATO”, tha zoti Johnson.
Duke nënvizuar shkallën e rrezikut të tensioneve në rritje, ai tha se është pajtuar me zotin Stoltenberg për një paketë mbështetjeje për forcimin e sigurisë kolektive të aleancës, përmes dërgimit të trupave, avionëve dhe anijeve për të mbrojtur NATO-n nga veriu në jug.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe po zhvillon një seri manovrash ushtarake në rajon, por thotë se nuk ka plane për të pushtuar fqinjin e saj.
Moska kërkon garanci nga Perëndimi për moslejimin e anëtarësimit të Ukrainës dhe vendeve tjera ish-sovjetike në NATO, ndalimin e dislokimit të armëve të aleancës në këto vende dhe tërheqjen e trupave të saj nga Evropa Lindore.
ShBA dhe NATO i kanë refuzuar këto kërkesa.
Moska ka vendosur trupa edhe në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë, për stërvitje të përbashkëta, të cilat të enjten hyjnë në fazën vendimtare.
Kievi ndodhet rreth 75 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë. Perëndimi ka shprehur frikën se Rusia mund të shfrytëzojë territorin bjellorus për të pushtuar Ukrainën.
(Zëri i Amerikës)