Johnson: SHBA beson se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe NATO

Prishtinë, 26 korrik 2022 – Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në NATO.

“Një kohë kam qenë e caktuar në stafin kombëtar të NATO-s, ishte një përvojë e mrekullueshme. Më kujtohet Samiti i NATO-s në Bukuresht më 2008, kohë vërtet historike. Por tani, fokusi im është në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, kështu që ne duhet t’i përmbahemi mandatit tim aktual. Por, brenda atij mandati këto janë edhe elemente shumë të rëndësishme dhe elemente për kualifikimet që do të jenë të nevojshme për Kosovën, për një integrim më të madh evropian. Pra, ne besojmë shumë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë, është në strukturat transatlantike dhe evropiane, përfshirë NATO-n dhe se një ditë Kosova do të jetë anëtare e NATO-s. Ky është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara, kështu që unë e mbështes fuqishëm”, tha Johnson në emisionin “Tempus” në KTV.

Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit tha se në këtë drejtim, Kosova duhet të punojë për të demonstruar përkushtimin për sigurinë kolektive, përparimin në dialog dhe të vazhdojë forcimin e reformave demokratike dhe institucioneve tjera.

“Mendoj se çfarë Kosova mund të bëjë drejt anëtarësimit në Partneritetin për Paqe dhe përfundimisht në NATO, mendoj se tre gjërat do të ishin të vazhdohet të punohet për të demonstruar përkushtimet tuaja për sigurinë kolektive, përkushtimin tuaj dhe përparimin në dialog të lehtësuar nga BE-ja dhe është shumë e rëndësishme gjithashtu vazhdimi i forcimit të reformave demokratike dhe institucioneve tuaja, përfshirë në fushën e sundimit të ligjit dhe ta dini se kjo është ajo për çka jemi këtu, për t’ju mbështetur në të gjitha përpjekjet”, tha Johnson.

(BetimipërDrejtësi.com)