Uashington, 4 janar 2022 – Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka deklaruar se afrimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është, siç është shprehur, “aq i shëndetshëm”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Joseph ka thënë se aspirata serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila do ta ngjallte idenë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, do të shpiente në copëtimin e Kosovës dhe të Bosnjës e Hercegovinës. Ai ka theksuar se kjo është nëinteresin e Rusisë dhe të Kinës.
“Ky afrim mes Ramës dhe Vuçiqit nuk është edhe aq i shëndetshëm. Domethënë, duhet përkujtuar se ‘Serbia e Madhe’ çon në krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, dhe anasjelltas. Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme dhe ajo thyhet në Kosovë, në lumin Ibër, gjë që do të çonte në ndarjen në ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Shqipërinë e Madhe’. Nuk është në interesin e Perëndimit që të krijohet ‘Shqipëria e Madhe’, ‘Serbia e Madhe’ dhe ndarja e Bosnjë e Hercegovinës në tri pjesë. Kjo është në interesin e Rusisë dhe Kinës, por jo edhe të Perëndimit”, është shprehur ai.
Joseph ka thënë se nisma rajonale “Ballkani i Hapur” ka karakter politik, dhe, si e tillë, mund të jetëe rrezikshme.
“Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të arrihet pa vlera evropiane, demokratike. Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm. Shikoni Kinën, e cila ka zhvilluar tregti me Korenë e Jugut, me Japoninë dhe më herët me Hong Kongun, por ka besim reciprok shumë të ulët. Pra, normalizimi ekonomik, i modeluar sipas qasjes së (Donald) Trumpit, ofron përfitime të caktuara. Por, pengesa reale për rritjen ekonomike në rajon është e natyrës politike. Prandaj, ka rezistencë në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë për t’iu bashkuar ‘Ballkanit të Hapur’”, është shprehur ai.
Joseph, i cili konsiderohet njohës i mirë i Ballkanit, ka thënë se regjimi i Vuçiqit është faktor destabilizimi në rajon, njësoj sikur ishte regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Ai ka thënë se termi “Bota serbe” është sinomim i termit “Serbi e Madhe”.
“Jo vetëm Aleksandar Vuçiqi, por edhe të tjerët në këtë regjim, janë veteranë të epokës së Millosheviqit dhe me të vërtetë i kanë mësuar ato leksione. Mirëpo, ata tani po paraqiten më të sofistikuar, duke përdorur, për shembull, termin ‘Bota serbe’, në vend të ‘Serbia e Madhe’, me Aleksandar Vulinin si promotor të kësaj ideje, derisa Vuçiqi nuk është deklaruar”, ka thën Joseph.
Ai ka thënë se Vuçiqi, sikurse Millosheviqi në vitet ’90, shtiret si partner i Perëndimit, ndërsa është factor destabilizues në rajon.
“Edhe Millosheviqi e paraqiste veten si partner të Perëndimit. Por, ndryshimi qëndron në atë që Perëndimi asokohe i kishte vendosur sanksione Serbisë, ndërkaq që sot nuk ka sanksione. Vuçiqi e shfrytëzon këtë duke e paraqitur Serbinë se partneren kyçe të Perëndimit në rajon edhepse nuk është e tillë. Në fakt, Serbia është një faktor destabilizues. Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe, në të njëjtën kohë, të promovosh ‘Botën serbe’, sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe, në të njëjtën kohë, të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin dhe të hysh në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë”, ka thënë ai.
Sipas tij, emërimet e ambasadorëve të rinj në Serbi, në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë tregojnë se Uashingtoni do ta ndryshojë qasjen ndaj rajonit.
“Emërimi i Christopher Hillit, diplomat veteran në rajon në vitet 1990, i cili e zëvendëson ambasadorin aktual në Beograd, mandati i të cilit nuk ka skaduar ende, është një sinjal shumë i rëndësishëm. Këtu është edhe diplomati me shumë përvojë, Jeff Hovenier, i cili vjen në Prishtinë, pastaj Michael Murphy, ambasadori i ri i SHBA-së në Sarajevë, i cili njeh Bosnjën, Kosovën dhe rajonin në tërësi. Këto emërime tregojnë se Uashingtoni e kupton se kursi i deritashëm nuk funksionon”, ka thënë Joseph.
(r.m.)