Uashington, 18 gusht 2022 – Bisedimet disaorëshe që zhvilluan të enjten në Bruksel Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan pa një marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve të lëshuara në Serbi dhe për çështjen e dokumenteve personale të identifikimit të shtetasve të Serbisë.
Megjithatë, profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, mendon se, në aspektin teknik, Kosova dhe Serbia mund të arrijnë shpejt marrëveshje për këto dy çështje. Sipas tij, mjafton që palët të kenë vullnet politik të arrijnë marrëveshje, sepse këto tema nuk janë të reja.
Ndonëse nuk ka dashur të komentojë se si mund të duket një marrëveshje mes dy vendeve, ai ka thënë se është i bindur që janë bërë një mori propozimesh në takimin e 18 gushtit.
“Kjo çështje është plotësisht e zgjidhshme dhe nuk duhet të ketë dyshime për këtë. Çështje e targave të automjeteve ka qenë në agjendë që një kohë të gjatë, andaj edhe mund të gjendet zgjidhje, me vullnetin e mirë të të dyja palëve”, kathënë Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se është i bindur që të enjten, në takimet e Kurtit e Vuçiqit, janë bërë një mori propozimesh lidhur me këto dy tema.
(r.m.)